Komisioni për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve ka kompetencë të bëjë vlerësimin e performancës së gjyqtarëve me mandat të përhershëm sipas metodës “Random”, gjyqtarëve me mandat fillestarë dhe atyre të cilët janë kandidatë për avancim. Komisioni për vlerësimin e përformancës së gjyqtarëve kryen punët dhe aktivitetet e veta bazuar në Ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Rregulloren për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, të miratuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Komisioni për vlerësimin e përformancës së gjyqtarëve vlerëson bazën për ngritjen apo uljen në detyrë të gjyqtarëve, përfshirë inicimin e procedurës për shkarkim dhe vlerësimin për qëllim të ri-emërimit.
Komisioni ka kompetencë të bëjë vlerësimin e përformancës së gjyqtarëve në bazë të kritereve si vijon:
- njohurinë profesionale, përvojën e punës dhe performansën, përfshirë njohuritë dhe respektimin e të drejtave të njeriut;
- kapacitetin për arsyetime ligjore;
- aftësinë profesionale, bazuar në rezultatin e punës gjatë periudhës së vlerësimit, përfshirë pjesëmarrjen në forma të organizuara të trajnimit ku është vlerësuar performansa;
- aftësinë dhe kapacitetin në analizimin e problemeve ligjore;
- aftësinë për të kryer detyrat në mënyrë të paanshme, të ndershme, me kujdes dhe me përgjegjësi;
- aftësinë komunikuese;
- sjelljen jashtë zyrës;
- integritetin personal;
- numrin e lëndëve të kthyera në rigjykim apo rivendosje, apo lëndëve të prishura nga gjykata më e lartë.
Komisioni për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve bën vlerësimin e gjyqtarëve me mandat fillestar dhe gjyqtarëve me mandat të përhershëm. Gjyqtarët me mandat fillestar vlerësohen në fund të trajnimit fillestar 12 mujor dhe vlerësimi i tyre bëhet duke marrë për bazë njohuritë e fituara gjatë trajnimit në pjesën teorike dhe atë praktike. Gjyqtarët me mandat të përhershëm vlerësohen sipas radhës së përcaktuar përmes metodës së shortit. Para fillimit të secilit vit kalendarik, Këshilli Gjyqësor i Kosovës nga lista e përgjithshme e gjyqtarëve sipas gjykatatve në EXCEL përmes komandës “RANDOM” bën përzgjedhjen e 1/3 së gjyqtarëve të cilët do t`i nënshtrohen vlerësimit në vitin vijues.
Komisioni për Vlerësimin e Përformancës së gjyqtarëve harton dhe miraton planin vjetor të punës, si dhe raporton në Këshill sipas nevojës.