Mbahet takimi i 247-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 247-të i KGJK-së

Prishtinë, 19.02.2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 247-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Takimi filloi me njoftimin lidhur me përfundimin e mandatit të dy anëtarëve të Këshillit, gjyqtares Manushe Karaqi dhe gjyqtarit Muhamet Rexha, të cilët Kryesuesi, në emër të Këshillit, i falënderoi për punën dhe angazhimin e tyre.

Anëtarët e KGjK-së, aprovuan njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Milan Bigovic, gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Murat Paçarada, dhe gjyqtarit në Gjykatën Themelore Pejë, dega në Deçan, Nexhat Musaj.

Këshilli, pas votimit zgjodhi gjyqtarin Qerim Ademaj në pozitën Zëvendës Kryesues i KGjK-së dhe caktoi datën 10 mars 2021 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve për anëtarë të KGjK-së, nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatës së Apelit. Gjithashtu, Këshilli miratoi formën e fletëvotimit, listën e kandidatëve, listën e gjyqtarëve me të drejtë vote si dhe raportet e komisioneve.

Gjatë takimit, Këshilli emëroi gjyqtaren Shpresa Hasaj – Hyseni, anëtare të rregullt të Panelit për Lirim me Kusht nga radha e gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë si dhe aprovoi listën e kandidatëve të propozuar për mentorë, lidhur me trajnimin fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar, e cila do të dërgohet në Akademinë e Drejtësisë.

Në vijim të këtij takimi, Këshilli caktoi gjyqtarin Drilon Haraqia, nënkryetar të Gjykatës Themelore në Gjakovë. Pas shqyrtimit dhe analizimit, Këshilli refuzoi kërkesat e dy gjyqtarëve për transferim në gjykatat përkatëse pasi që gjyqtarët në fjalë janë me mandat fillestar.

Para anëtarëve të Këshillit, Drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor, Hydajet Hyseni, raportoi lidhur me aktivitetet e kësaj njësie gjatë vitit 2020. Mes tjerash, Këshilli vendosi për shpalljen e pozitave të lira për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Vlerësimin e Performancës, si dhe formoi komisionin ad-hoc për shqyrtimin e dokumentacionit të kandidatëve.

Po ashtu, gjatë takimit, u zgjodhën gjyqtarët mbikëqyrës në: Gjykatën Themelore Gjilan, dega në Viti, gjyqtari Alush Sinani, Gjykatën Themelore Prishtinë, dega në Graçanicë, gjyqtarja Mitra Dimic, dhe Gjykatën Themelore Ferizaj, dega në Shtërpcë, gjyqtari Alban Beqiri.

KGjK, aprovoi kërkesën e Komisionit për Trajnime të KGjK-së, për shtyrjen e afatit deri në qershor të vitit 2021, për ndjekjen e trajnimit obligativ në Akademinë e Drejtësisë si dhe propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KGjK-së, Shkelzen Maliqi, për caktimin e formulës për shpërndarjen e pozitave të punonjësve mbështetës sipas mundësive buxhetore të vitit 2021 dhe autorizoi përgatitjen e planit të personelit sipas formulës dhe mundësive buxhetore.

Në fund, Këshilli me dyer të mbyllura, trajtoi dy (2) raste disiplinore ndaj gjyqtarëve.