KGjK priti në takim përfaqësues të institucioneve të drejtësisë nga Maqedonia e Veriut

KGjK priti në takim përfaqësues të institucioneve të drejtësisë nga Maqedonia e Veriut

Prishtinë, 19.02.2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) priti sot në vizitë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë nga Maqedonia e Veriut. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor, Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut si dhe zv. Ambasadorja e Norvegjisë në Prishtinë, znj. Jenny Stenberg Sørvold.

Qëllimi i kësaj vizite nga ana e përfaqësuesëve të Maqedonisë së Veriut ishte njohja më për së afërmi e Projektit SMIL si dhe rezultatet e arritura nga implementimi i këtij projekti në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Kryesuesi i KGjK, Skender Çoçaj, theksoi se sistemi gjyqësor i Kosovës, ka arritur progres të theksuar në implementimin e Projektit SMIL dhe se me zbatimin e plotë të këtij projekti do të arrihet edhe një konsolidim i sistemit gjyqësor dhe prokurorial në ngritjen e transparencës, llogaridhënies si dhe besueshmërisë tek qytetarët, gjë të cilën po synojmë ta arrijmë të gjithë ne së bashku, dhe jemi shumë të përkushtuar në këtë aspekt. 

“Shpresoj që bashkëpunimi ynë i cili është i një rëndësie të veçantë, të jetë urë lidhëse ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë, në mënyrë që këto institucione të vazhdojnë të shkëmbejnë përvojat e tyre të ndërsjella në aplikimin e teknologjisë në fushën e drejtësisë si dhe në sferat e tjera të cilat ndikojnë në rritjen e cilësisë së gjyqësorit”, tha Çoçaj.

Në vazhdim të takimit, u prezantua sistemi SMIL, funksionimi i tij si dhe mënyra se si bëhet menaxhimi elektronik i lëndëve përmes këtij sistemi. Pas përfundimit të takimit, të pranishmit vazhduan vizitën e tyre në Qendrën e të Dhënave, në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë.