Mbahet takimi i 240-të i KGjK-së

Mbahet takimi i 240-të i KGjK-së

Prishtinë, 26 tetor 2020 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 240-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Këshilli aprovoi propozimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme për emërimin, përkatësisht vazhdimin e mandatit të gjyqtarit Rasim Rasimi si anëtar/kryesues i Panelit për Lirim me Kusht, dhe gjyqtarit Beshir Islami, si anëtar rezervë, me mandat dy (2) vjeçar.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e KGjK-së, aprovuan dorëheqjen nga pozita e gjyqtarit porotë në Gjykatën Themelore në Gjilan, z.Sejdi Beqiri. Këshilli, aprovoi draft vendimin për kompensimin e anëtarëve të KGjK-së.

Këshilli, autorizoi Drejtorin e Përgjithshëm të SKGJK-së që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për inicimin e procedurave të rekrutimit për plotësimin e pozitave të lira në administratën e gjyqësorit për shpalljen e pozitave të lira në administratën e gjyqësorit bazuar ne Ligjin për Buxhetin e Vitit 2020.

Kryesuesi Çoçaj, njoftoi anëtarët e Këshillit lidhur me procesin e Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit, rreth së cilit ata do pranojnë dokumentet e fundit të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim që secili të kontribuojë me analiza dhe komente, pasi që është një proces mjaft i rëndësishëm për gjyqësorin e Kosovës dhe pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës së KGjK-së.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dyer të mbyllura për shqyrtimin e gjashtë (6) rasteve disiplinore.