Instituti Gjyqësor i Kosovës (IGJK), në bashkëpunim me Programin për Sundim Efektiv të Ligjit (EROL) të USAID-it, sot kanë përuruar Doracakun e Procedurës Kontestimore dhe Procedurës Penale për gjyqtarë.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren z.Ymer Hoxha, njëherit edhe kryesues i Bordit të Institutit Gjyqësor të Kosovës, theksoi se për herë të parë në historinë e gjyqësorit po botohen Doracakë e që do të ndikojnë në unifikimin e praktikave për përpilimin e vendimeve gjyqësore.
Drejtoresha e USAID-it, znj.Sara Buschanan, e ka vlerësuar botimin e tyre duke thënë se, paraqesin resurs të mirë për menaxhimin e lëndëve me qëllim të rritjes së besueshmërinë tek publiku e që është me rëndësi të veçantë për gjyqësorin e Kosovës.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z.Enver Peci, falënderoi donatorët dhe autorët për përkushtimin dhe punën e tyre në përpilimin e Doracakëve, duke e konsideruar si hap të rëndësishëm për lehtësimin e punës së gjyqtarëve. Gjyqësori vitet e fundit ka kaluar në një reformë të thellë sa i përket reformës ligjore dhe strukturore. Andaj, ka risi sa i përket procedurave penale dhe kontestimore e që është e domosdoshme për punën praktike të gjyqtarëve të kemi një Doracak të tillë, e që do t’ju shërbejë që të orientohen në aplikimin e ligjeve të reja – citoi z. Peci.
Ministri i Drejtësisë z.Kuçi, tha se, Doracakët janë një lajm i mirë për gjyqtarët e rinj dhe për qytetarët, ku do të rritet besimi i tyre në fushën e gjyqësisë.
Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksandër Lumezi, ka kërkuar që Doracakë të tillë të bëhen edhe për prokurorë me qëllim të zbatimit të akteve juridike.
Autorët e Doracakut të Procedurës Kontestimore janë: Muharrem Shala, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, Albert Zogaj, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Valon Totaj, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren, Zenel Leku, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ndërsa, autorët e Doracakut të Procedurës Penale janë: Bashkim Hyseni, kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe Afrim Shala, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gjilan.