Prishtinë, 31 janar 2024 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj dhe Kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave, Fahret Vellija, morën pjesë në takimin e radhës të Grupit Punues për Reformë në Drejtësi, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Gjatë këtij takimi, u diskutua rreth adresimit të rekomandimeve që rrjedhin nga deklarata e përbashkët e zotimeve, e nisur nga Ministria Drejtësisë, KGJK dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Kryesuesi Zogaj, theksoi se hartimi dhe finalizimi i legjislacionit është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të efikasitetit në drejtësi. Po ashtu, Zogaj theksoi mbështetjen e KGJK-së dhe vazhdimin e bashkëpunimit ndër institucional në kuadër të reformës në drejtësi, me qëllim të realizimit të aktiviteteve të parapara gjatë këtij procesi.
Të pranishmit diskutuan edhe rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, me qëllim të përmirësimit të procesit të hartimit dhe finalizimit të legjislacionit në këtë drejtim.