Mbahet takimi i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Mbahet takimi i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Prishtinë, 5 shtator 2023 – Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës nën udhëheqjen e Kryesuesit të Asamblesë, njëherit Kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, mbajti sot takimin e radhës, me ç’rast janë diskutuar pikat e rendit të ditës.

  • Anëtarët e Asamblesë diskutuan lidhur me inspektimin e përgjithshëm të punës së administratës dhe të gjeturat në Rregulloren për Organizimin dhe Veprimtarinë e Brendshme të Gjykatave të Republikës së Kosovës, me ç’rast rekomanduan Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të hartojë një plan të veprimit për inspektimin e përgjithshëm të mënyrës së funksionimit të administratës gjyqësore dhe identifikimin e problematikave që kërkojnë adresim nga KGJK apo gjykatat;
  • Asambleja rekomandoi që të bëhet një planifikim i trajnimeve mes të KGJK-së, përkatësisht Komisionit për Trajnime, Akademisë së Drejtësisë dhe gjykatave, për gjyqtarët dhe përfshirjen e trajnimeve për administratën gjyqësore si dhe të ndryshohet Rregullorja për Trajnimin e Gjyqtarëve dhe Administratës Gjyqësore;
  • Anëtarët diskutuan lidhur me çështjen e zbatimit të plotësim/ndryshimit të Ligjit Nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.05/L-118, me ç’rast u dakorduan që në çështjet të cilat janë në procedim në gjykata lidhur me kompensimin e të ardhurave me përmbarimin e vendimeve për kompensimin e të ardhurave, të vazhdohet të trajtohen nga gjykatat. Ndërsa, në rastet kur ka kërkesë nga kreditorët, që çështja të kalojë te përmbaruesi privat, nëse nuk është lejuar përmbarimi, çështjet të kalojnë te përmbaruesi privat, sipas kërkesës së kreditorit;
  • Gjatë takimit, u diskutua çështja e rëndësisë dhe dhënies së prioritetit të lëndëve penale për rastet me precedent penal dhe i është rekomanduar KGJK-së që të përfshihen çështje me prioritet sipas Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022-2025, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe nivelit të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë;
  • Lidhur me implementimin e Iniciativës për Drejtësi Procedurale, raportuan: Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan dhe Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë;
  • Anëtarët e Asamblesë kanë miratuar planet e veprimit për Drejtësi Procedurale, për degët e Gjykatës Themelore në Prishtinë: dega në Lipjan, Graçanicë, Gllogoc dhe Podujevë, të mbështetura nga Projekti i USAID-it për Drejtësi, me qëllim që të vazhdohet edhe më tutje me implementimin e aktiviteteve të parapara me këto plane.