Përfaqësues të sistemit gjyqësor, po qëndrojnë për vizitë studimore në SHBA

Përfaqësues të sistemit gjyqësor, po qëndrojnë për vizitë studimore në SHBA

Uashington DC, 26 gusht – 1 shtator 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama, Udhëheqësi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës së Apelit, Vaton Durguti dhe Udhëheqësi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore Prishtinë, Valon Kurtaj, gjyqtarë të Departamentit Special të Gjykatës së Apelit dhe gjyqtarë të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, po qëndrojnë në një vizitë studimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uashington DC.

Qëllimi i kësaj vizite është përfitimi i përvojave dhe praktikave sa më të mira për menaxhimin efektiv të rasteve dhe gjykimeve, menaxhimin e rrjedhës së lëndëve si dhe çështje tjera të shumta në kuadër të sistemit gjyqësor.

Në ditët e para të vizitës, që ka filluar këtë të hënë, delegacioni i gjyqësorit nga Kosova, ka zhvilluar takime me Divizionin për Integritet Publik dhe me gjyqtarin Rudolph D. Moss. Vizita ka vazhduar në Gjykatën e Qarkut të SHBA-ve, Distrikti i Kolumbisë, ku delegacioni është pritur nga mbikëqyrësi i operacioneve të gjykatës dhe administratori i gjykatës, me ç’rast është diskutuar lidhur me regjistrimin elektronik të lëndëve penale dhe menaxhimin e rrjedhës së lëndëve.

Po ashtu, delegacioni ka marr pjesë në një seancë për marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë të kryesuar nga gjyqtari Christopher R. Cooper, me të cilin janë diskutuar çështjet: Roli i gjyqtarit si menaxhues i lëndës; Përcaktimi i orarit të gjykimit; Menaxhimi i vonesave dhe palëve të vështira; Seancat dëgjimore të pandërprera; Marrëveshja mbi pranimin e fajësisë; Shkëmbim i vështrimeve nga seanca dëgjimore e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë; Seanca për caktimin e dënimit, etj.

Takimi i radhës është mbajtur me kryetarin e kësaj gjykate, James. E. Boasberg, me ç’rast janë diskutuar edhe disa nga pikat tjera të rekomanduara.

Takime tjera do të zhvillohen në Gjykatën e Lartë të Distriktit të Kolumbisë, ku do të takohen me zëvendëskryetarin e gjykatës Rainey Brandt, Zyrën e Prokurorit të Distriktit të Kolumbisë, Zyrën Administrative për Gjykatat e SHBA-ve, Qendrën Federale Gjyqësore, Komisionin e Politikës Ndëshkimore të SHBA-ve dhe Ambasadën e Kosovës në Uashington DC. Po ashtu, do të ketë një vizitë në Gjykatën Supreme të SHBA-ve.

Në mesin e pikave tjera të rekomanduara për diskutim gjatë kësaj vizite studimore, janë: Pasqyrimi i institucioneve; Administrimi efektiv i drejtësisë dhe pavarësia e gjyqësorit; Trendet dhe praktikat e menaxhimit të lëndëve; Praktika e seancave të njëpasnjëshme; Monitorimi dhe përditësimi i udhëzuesit të politikës ndëshkimore; Arsimimi i vazhdueshëm ligjor për gjyqtarët; Menaxhimi i vonesave dhe palëve të vështira; Komunikimi ndërmjet prokurorisë, mbrojtjes dhe gjykatës; Marrëdhënia mes gjykatës dhe mediave, etj.

Vizita studimore njëjavore në Uashington DC, është mundësuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, e cila mbetet një nga mbështetësit kryesorë të sistemit gjyqësor në Kosovë, drejt forcimit të sundimit të ligjit.