KGJK ka vazhduar takimin e 289-të

KGJK ka vazhduar takimin e 289-të

Prishtinë, 23 qershor 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka vazhduar takimin e 289-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar edhe pikat e tjera, sipas rendit të ditës.

Takimi vazhdoi me autorizimin e Kryesuesit të KGJK-së dhe Drejtorit të Përgjithshëm të SKGJK-së, për transferin e stafit mbështetës nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore Prishtinë në Gjykatën Komerciale.

Anëtarët e Këshillit miratuan kërkesën buxhetore 2023 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës sipas qarkores buxhetore 2023/1 dhe kërkesën shtesë, e cila do t’i drejtohet Ministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes së cilës është kërkuar korrigjimi i buxhetit aktual, duke pasur parasysh se në tre (3) vitet e fundit KGJK ka pasur shkurtim të buxhetit. Në këtë kërkesë, janë parashtruar edhe kërkesat buxhetore shtesë, me qëllim që KGJK të realizojë misionin e tij. Me këtë rast, Këshilli Gjyqësor i Kosovës i bëri thirrje Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës që të aprovojnë këtë kërkesë, sepse e njëjta është kërkesë për zhvillimin e aktiviteteve esenciale në sistemin gjyqësor.

Me qëllim të ngritjes profesionale të gjyqtarëve, Këshilli aprovoi ndjekjen e programit master të kandidatëve të përzgjedhur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Besnik Shala, gjyqtar në Gjykatën Themelore Pejë dhe Vlora Pacolli, gjyqtare në Gjykatën Themelore Prishtinë, të cilët kanë fituar të drejtën për bursë në Programin e Bursave për Arsimimin Ligjor në Universitetin Wake Forest, Winston Salem, Karolinë e Veriut, i cili ka për qëllim të kontribuoj në përmirësimin e sistemit ligjor në Kosovë.

Anëtarët miratuan Rregulloren nr. 05/2022 për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores Nr. 07/2017 për Organizimin dhe Funksionimin e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.

Mes tjerash, u aprovua një (1) kërkes për transferimin e  përhershëm të një (1) bashkëpunëtore profesionale nga Gjykata Themelore në Gjakovë në Gjykatën Themelore në Pejë, ndërsa tri (3) kërkesa të tjera, do të shqyrtohen në takime të radhës.

Me qëllim të zbatimit efikas të Ligjit Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe Ligjit Nr. 06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Këshilli miratoi propozimet e kryetarëve të gjykatave për caktimin e zyrtarëve përgjegjës në KGJK dhe gjykata, për zbatimin e akteve në fjalë.

Këshilli miratoi: ndryshimin e planit të punës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për vitin 2022, GJ.A.nr.170/2022, si dhe ndryshimin e planit të punës së Gjykatës së Apelit për vitin 2022, GJ.nr.348/2022.

Në këtë takim, anëtarët autorizuan Kryesuesin e KGJK-së për nënshkrimin e Memorandumit të bashkëpunimit në mes të Akademisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGK), i cili ka për qëllim përmbushjen e obligimeve nga Strategjia e Sundimit të Ligjit 2021 – 2026 si dhe mbështetjen e procesit të avancimit profesional të sistemit gjyqësor. Kryesuesi Zogaj theksoi se KGJK është institucioni i parë i cili ka përmbushur më së shumti Strategjinë e Sundimit të Ligjit 2021 – 2026 si dhe ka realizuar të gjitha aktivitetet që parashihen në Planin e Veprimit deri në këtë periudhë.

Anëtarët e Këshillit aprovuan listën e gjyqtarëve të propozuar nga Kryetarët e gjykatave, për të qenë pjesë e listës së gjyqtarëve në Panele Hetimore, siç parashihet me Ligjin Nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Këshilli aprovoi propozimin për ndryshimin e organogramit të Gjykatës Komerciale të aprovuar sipas vendimit KGJK.nr.94/2022, ku nga pesëmbëdhjetë (15) pozita për gjyqtar u vendos që kjo gjykatë të ketë njëzet e një (21) pozita.

Anëtarët e Këshillit, miratuan  shpalljen e konkursit të brendshëm për dhjetë (10) pozita të lira për gjyqtar në Gjykatën Komerciale, prej tyre shtatë (7) pozita janë për Dhomat e shkallës së parë dhe tri (3) për Dhomat e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, prej të cilave nga një (1) pozitë është e rezervuar për gjyqtarë nga komuniteti serb.

Me këtë rast, Këshilli themeloi komisionin për vlerësimin e kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Komerciale si dhe komisionin për rishqyrtimin e ankesave të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatë Komerciale.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për diskutim lidhur me shqyrtimin e raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura dhe marrëveshja e arritur për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/09/2022 /GJTHGJL – GJS-2022-006 si dhe shqyrtimin e raportit dhe marrëveshjes vullnetare për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/11/2022/GJTHM-AD/GJTHM/09/10/2022.