Mbahet takimi i 275-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 275-të i KGJK-së

Prishtinë, 21.01.2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 275-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Këshilli ka filluar takimin me njoftimin për aprovimin e buxhetit për vitin 2022 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ku u theksua se përkundër kërkesave të vazhdueshme dhe të arsyeshme të KGJK-së, buxheti i aprovuar nga Qeveria dhe Kuvendi është më i vogël për 6,439,680.84 dhe si i tillë ka pamundësuar arritjen e objektivave të gjyqësorit. Për më tepër, mos miratimi i kërkesave buxhetore është cenim i pavarësisë së sistemit gjyqësor.

Takimi ka vazhduar me raportimin e punës së Komisionit për Çështje Normative për vitin 2021.

Anëtarët e Këshillit aprovuan përmbajtjen e Raportit Vjetor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2021.

Gjatë takimit, u aprovua rishpallja e konkursit të brendshëm për tri (3) pozita të lira për gjyqtar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Po ashtu, Këshilli caktoi anëtarët e Panelit për Shqyrtimin e aplikacioneve dhe Intervistimin e kandidatëve për ngritje në detyrë për gjyqtar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme si dhe Komisionin për Rishqyrtim të ankesave të kandidatëve për ngritje në detyrë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Në vazhdim të këtij takimi, u aprovua shpallja e konkursit për Kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan, me ç’rast Këshilli caktoi Komisionin vlerësues për intervistimin, vlerësimin si dhe rekomandimin e kandidatëve për Kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan.

Anëtarët aprovuan shpalljen e konkursit për gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë si dhe caktuan Komisionin vlerësues për intervistimin, vlerësimin si dhe rekomandimin e kandidatëve për gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë.

Këshilli miratoi Rregulloren Nr. 01/2022 për Themelimin e Komitetin Këshillëdhënës për Etikë Gjyqësore me ç’rast u themelua Komiteti Këshillëdhënës për Etikë Gjyqësore. Ky Komitet do t’i ndihmoj gjyqtarët me informacione dhe këshilla rreth pyetjeve apo çështjeve etike të identifikuara për interpretim në lidhje me Kodin e Etikës Profesionale për Gjyqtarë dhe Ligjit të Procedurës Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Mes tjerash, u aprovua njoftimi i Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGJK, për pensionimin e gjyqtares së Gjykatës së Apelit, Shqipe Qerimi dhe gjyqtares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mihane Ismajli.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me katër (4) pika të mbyllura për: shqyrtimin e një (1) ankese ndaj vendimit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së gjyqtarëve, shqyrtimin e ankesave të kandidatëve për konkursin e rekrutimit të gjyqtarëve në gjykatat themelore, shqyrtimin e kërkesës për zgjatjen e afatit të panelit hetimor për lëndën disiplinore Nr.AD/KGJK/10/2021/GJTHPE-AD/GJTHPE/15/21 dhe themelimin e Panelit Hetimor në rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/01/2022/ GJS-GJS-2021-015.