Mbahet takimi i 268-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 268-të i KGJK-së

Prishtinë, 18.10.2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 268-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Në fillim të takimit, anëtarët e Këshillit diskutuan lidhur me nevojën e transkriptimit të procesverbaleve të komisioneve të përhershme të KGJK-së, me ç’rast vendosën që ekstraktet e procesverbaleve në fjalë të transkriptohen vetëm në pjesët e vendosura për çështjet me rëndësi të cilat vlerësohen nga komisionet dhe asambleja.

Këshilli, shqyrtoi nevojat lidhur me programet trajnuese për gjyqtar dhe stafin administrativ të gjykatës dhe autorizuan zv. Kryesuesin e KGJK-së dhe Komisionin e Trajnimeve që të hartojë një raport mbi çështjet e ngritura rreth trajnimeve të gjyqtarëve.

Në vijim, anëtarët diskutuan rreth koncept dokumentit për Sistemin Qendror të Evidencës Penale (NCCR), të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë dhe Projekti NCCR, me ç’rast anëtarët u pajtuan që Evidenca Penale të mbetet pjesë e administrimit në KGJK dhe autorizuan Kryesuesin e KGJK-së që të caktojë një përfaqësues nga SKGJK, i cili do të jetë pjesë e grupit punues për hartimin e Ligjit për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës.

Me propozim të kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj,  Këshilli caktoi nënkryetaren e kësaj gjykate, gjyqtaren Mirlinda Bytyçi – Rexhepi, mandati i së cilës është pesë (5) vjeçar dhe do të fillojë nga data 18 tetor 2021.

Anëtarët e Këshillit autorizuan Kryesuesin e KGJK-së për hartimin e raportit të plotë me të gjitha grupet punuese dhe të gjithë koordinatorët në përfaqësimet e Këshillit, me qëllim që Këshilli të përfaqësohet në mënyrë sa më dinjitoze, përmes përfaqësuesve në grupe të ndryshme punuese.

Në vijim të këtij takimi, anëtarët e Këshillit diskutuan për nevojën e miratimit të vendimeve të kryetarëve të gjykatave lidhur me caktimin dhe lëvizjen e gjyqtarëve në departamente dhe degë të gjykatave dhe miratuan propozimin që të gjithë kryetarët e gjykatave, me përjashtim të Kryetarit të Gjykatës Supreme, çdo ndryshim të planit te punës, përfshirë edhe lëvizjen e gjyqtarëve, pas konsultimeve të nevojshme ta pasqyrojnë në planin e punës dhe ta paraqesin në Këshill për aprovim.

Anëtarët diskutuan rreth nevojës për rekrutimin e gjyqtarëve porotë  dhe u dakorduan që, Këshilli t’u drejtohet kryetarëve të gjykatave që të bëjnë vlerësimin e nevojave për gjyqtarë porotë dhe KGJK të vazhdojë me procesin për rekrutimin e tyre.

Mes tjerash, u diskutuan shërbimet e postës dhe shpërndarësve në gjykata të cilat janë vlerësuar pengesë serioze në punën e gjyqtarëve, me ç’rast Këshilli autorizoi  Departamentin e Logjistikës dhe Njësinë e Inspektimit Gjyqësor të bëjë vlerësimin e shërbimeve postare dhe modaliteteve për mundësinë e ndryshimit të kontratës me Postën e  Kosovës, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së këtyre shërbimeve.

Këshilli aprovoi draft Udhëzimin Administrativ për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ, 04/2019 për Publikimin e Aktgjykimeve të Përpunuara dhe ndryshimin e manualit për publikimin e aktgjykimeve dhe aktvendimeve, me ndryshimet e propozuara në përmbajtje.

Po ashtu, anëtarët autorizuan Komisionin për Administrimin e Gjykatave dhe Komisionin për Çështje Normative që të bëjë vlerësimin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ, 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore.

Anëtarët e Këshillit, aprovuan Planin Strategjik për Zgjidhjen Efikase të Lëndëve të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar 2022 – 2024, i cili është hartuar me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë dhe ka për qëllim rritjen e efikasitetit të gjyqësorit në trajtimin e lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Takimi vazhdoi me diskutim rreth vlerësimit të gjyqtarëve fillestar nga Komisioni për Vlerësimin e Performancës së gjyqtarëve si dhe rreth kushteve dhe mundësive të punës për gjyqtarët e rinj.

Këshilli, autorizoi Drejtorin e Përgjithshëm të SKGJK-së që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për publikimin e konkurseve të jashtme dhe të brendshme për pozitat e lira në administratën  gjyqësore bazuar në Planin e punësimit për vitin 2021.

Në fund, u diskutua kërkesa buxhetore e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2022, me ç’rast anëtarët e Këshillit, autorizuan Kryesuesin e KGJK-së për nënshkrimin e kërkesave buxhetore dhe përsëritjen e tyre për vitin 2022.