Çoçaj: Janë regjistruar 250 mijë dënime në sistemin qendror të evidencës penale

Çoçaj: Janë regjistruar 250 mijë dënime në sistemin qendror të evidencës penale

Prishtinë, 19 nëntor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor i Kosovës, Skender Çoçaj dhe Zëvendësshefi i Zyrës së BE, Riccardo Serri kanë vizituar sot Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku u takuan me kryetaren Afërdita Bytyqi. Me rastin e kësaj vizite, u diskutuan të arriturat e Gjykatës dhe rëndësia e funksionalizimit të Evidencës Qendrore Penale për gjyqësorin e Kosovës.

Kryesuesi Çoçaj tha se deri tani janë regjistruar rreth 250 mijë lëndë penale, si dhe për këtë projekt kanë krijuar një task-forcë të qëndrueshmërisë dhe pjesë e këtij plani do të jenë  një numër procedurash.

“Më lejoni të përshëndes zyrën e BE-së për mbështetjen e vazhdueshme, dënimet e regjistruara kanë arritur në 250 mijë, Gjykata Themelore e Prishtinës është shembull për gjithë sistemin në vend. Regjistrimi i lëndëve penale  do ta lehtësojë punën e gjyqësorit si dhe do të kursej kohë për qytetarët tanë”, tha mes tjerash Çoçaj.

Nga ana tjetër, Riccardo Serri zv. Shef i zyrës së BE-së në Kosovë, u shpreh se funksionalizimi i Evidencës Qendrore Penale është shumë i rëndësishëm për sundimin e ligjit.

“Ky projekt është shumë i rëndësishëm për punën e gjyqësorit. Sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm për ne dhe rrugën drejt BE-së. Ky projekt  iu mundëson qytetarëve që të marrin shërbime më lehtë, theksoi Serri.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi tha se nga ky projekt më së shumti do të përfitojnë qytetarët e vendit.

“Ky projekt do të jetë i dobishëm për vendin tonë. Deri me tani janë regjistruar 90%  e lëndëve. Me këtë evidencë do të eliminojë çdo dilemë për të kaluarën e çdo qytetari”, tha kryetarja Bytyçi.

NCCR është një projekt i financuar nga BE që synon të sigurojë mbështetje për përfundimin e kornizës politike, ligjore dhe administrative dhe strukturës teknike për krijimin dhe zbatimin e një Regjistrit qendror kombëtar të evidencës penale (NCCR). Kjo do të mundësojë një Regjistër plotësisht funksional në nivel qendror dhe të gjykatave dhe do të sigurojë lëshimin e certifikatave të besueshme lidhur me dënimet nga sistemi në pajtim me standardet ndërkombëtare.