Mbahet takimi i 224-të i KGjK-së

Mbahet takimi i 224-të i KGjK-së

Prishtinë, 07 Tetor 2019 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 224-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skënder Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Fillimisht, Këshilli, miratoi draft Rregulloren për përdorimin e Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), qëllimi i së cilës është përcaktimi i rregullave, rolit dhe detyrave të gjyqtarëve, si dhe stafit administrativ në përdorimin e SMIL në punën e tyre gjatë procedimit të lëndëve përmes sistemit. Për draftimin e kësaj rregulloreje, janë marrë për bazë praktikat më të mira nga shtetet të cilat me sukses e kanë implementuar këtë sistem.

Në vijim të takimit, është themeluar paneli për shqyrtimin e aplikacioneve për kandidatët për gjyqtar në Divizionin e Gjykatës së Apelit-Mitrovicë.
Këshilli shqyrtoi njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme të SKGJK-së, për pensionimin e gjyqtarëve Dragan Arsić, Gjyqtar në Gjykatë Themelore Gjilan – dega Viti dhe Miroslav Ivanović, Gjyqtar në Gjykatë e Apelit – divizioni në Mitrovicë, mandati i së cilëve përfundon sipas fuqisë ligjore. Me vendim nga Këshilli, do të njoftohet Presidenti i Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, Këshilli caktoi anëtarët e Komisionit Vlerësues për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për pozitën gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega Leposaviq si dhe anëtarin e Komisionit për hartimin e testit kualifikues lidhur me konkursin për gjyqtar në Gjykatat Themelore.

Anëtarët e Këshillit miratuan vazhdimin e mandatit të disa anëtarëve të Komisionit për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve deri më 31 Dhjetor 2019, mandati i të cilëve përfundon më 5 Tetor 2019, me qëllim që të mos pengohet përfundimi i proceseve të vlerësimeve.

Me kërkesë së U.D. Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komoni, për lirim nga detyra e anëtarit të Komisionit për Vlerësimin e Performanës së Gjyqtarëve, anëtarët e Këshillit miratuan këtë kërkesë sepse sipas rregullores, anëtarë të komisionit nuk mund të jenë kryetarët e gjykatave.

Me qëllim të vazhdimit të bashkëpunimit me Kolegjin AAB – Fakulteti Juridik, Këshilli miratoi Memorandumin e Bashkëpunimit përmes së cilit studentëve të Fakultetit Juridik, u mundësohet mbajtja e praktikës dhe vizita studimore në Gjykatat e Kosovës.

Në fund të takimit, si pikë e mbyllur ishte themelimi i Panelit Hetimor, për të hetuar një shkelje të supozuar disiplinore, sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.