Albert Zogaj rizgjedhet Kryesues i KGJK-së edhe për një mandat

Albert Zogaj rizgjedhet Kryesues i KGJK-së edhe për një mandat

Prishtinë, 4 korrik 2024 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e 328-të, ka miratuar rizgjedhjen e Kryesuesit të KGJK-së, Albert Zogaj, pas procesit të votimit unanim të anëtarëve. Mandati i ri i Kryesuesit Zogaj fillon me 7 korrik 2024 deri në përfundimin e mandatit të tij si anëtar i KGJK-së.

Kryesuesi Zogaj prezantoi vizionin dhe objektivat e tij duke u zotuar se gjatë mandatit të ri do të vazhdojë përkushtimin e tij në ngritjen e transparencës, llogaridhënies dhe nivelit të bashkëpunimit me institucione vendore dhe ndërkombëtare.

Anëtarët e KGJK-së kanë vlerësuar punën dhe përkushtimin e Kryesuesit Zogaj në përmirësimin e sistemit gjyqësor në Kosovë gjatë mandatit të tij deri më sot, ku nën drejtimin e tij, KGJK dhe gjykatat kanë arritur progres në forcimin e transparencës, efikasitetit dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor.

Po ashtu, Kryesuesi falënderoi anëtarët e Këshillit për besimin dhe shprehu përkushtimin e tij për të punuar në drejtim të avancimit të drejtësisë dhe rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.