Publikohet Raporti i OSBE-së për monitorimin e gjykimeve të rasteve të dhunës në familje në Kosovë

Publikohet Raporti i OSBE-së për monitorimin e gjykimeve të rasteve të dhunës në familje në Kosovë

Prishtinë, 2 korrik 2024 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, morën pjesë në publikimin e Raportit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për monitorimin e gjykimeve të rasteve të dhunës në familje në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, u diskutuan gjetjet dhe rekomandimet kryesore të raportit, i cili analizon të dhënat e mbledhura gjatë vitit 2023 nga ana e programit për monitorim të gjykimeve të Misionit të OSBE-së, lidhur me gjykimin e veprave penale dhe kontesteve civile të dhunës në familje në Kosovë, i cili po ashtu synon të shërbejë si mjet didaktik për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, theksoi rëndësinë e monitorimit të pavarur dhe të vazhdueshëm të gjykimeve të rasteve të dhunës në familje, duke shtuar se ky raport është një mjet i rëndësishëm për të identifikuar mangësitë dhe për të përmirësuar procesin gjyqësor në këto raste.

Po ashtu, Kryesuesi Zogaj theksoi se Këshilli Gjyqësor do të mbështesë rekomandimet e raportit dhe do të angazhohet në implementimin e tyre përmes politikave dhe trajnimeve të përshtatshme. Ai gjithashtu tha se raporti duhet të shërbejë si një udhëzues për përmirësimin e praktikave gjyqësore në luftën kundër rasteve të kësaj natyre.