Prishtinë, 28 maj 2024 – Zëvendës Kryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Arjeta Sadiku, së bashku me gjyqtarin e Gjykatës Supreme, Afrim Shala, pritën në takim ekspertët e Programit për Çështje të Brendshme të Bashkimit Evropian në Kosovë (HAPE), Mario Pellegrino, Eric Stephan dhe Massimiliani Moro.
Gjatë këtij takimi, u diskutua lidhur me trajtimin e veprave penale kundër mjedisit dhe trajtimin e këtyre rasteve nga sistemi gjyqësor, si dhe mundësitë e bashkëpunimit më partnerët ndërkombëtar për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë më mbrojtjen e mjedisit.
Zëvendës Kryesuesja Sadiku diskutoi për sfidat në zbatimin e drejtësisë në rastet e veprave të këtij lloji dhe për përpjekjet e Këshillit Gjyqësor për të adresuar këto sfida dhe për të siguruar një trajtim të drejtë dhe efektiv të çështjeve në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Në anën tjetër, gjyqtari Shala theksoi rolin e Gjykatës Supreme të Kosovës në trajtimin e veprave të këtij lloji, si dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe trajnimit të gjyqtarëve në lidhje me ligjet dhe procedurat për të trajtuar rastet e këtij natyre me kujdes dhe me përgjegjshmëri.
Zëvendës Kryesuesja Sadiku, falënderoi ekspertët e HAPE-së për ofrimin e mbështetjes për KGJK-në dhe gjykatat, si dhe shprehu gatishmërinë e KGJK-së për vazhdimin e angazhimit institucional në luftimin e veprave penale kundër mjedisit.