KGJK vazhdon bashkëpunimin me EULEX

KGJK vazhdon bashkëpunimin me EULEX

Prishtinë, 16 maj 2024 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj së bashku me Zëvendës Kryesuesen e KGJK-së, Arjeta Sadiku, ka pritur sot në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano dhe Shefin e Shtyllës së Monitorimit, Giovanni Galzignato, me bashkëpunëtorë.

Kryesuesi i KGJK-së, gjatë këtij takimi e ka uruar Shefin e Shtyllës së Monitorimit, Galzignato për detyrën re, me ç’rast e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të EULEX, duke e vlerësuar si partner të fuqishëm në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Kryesuesi Zogaj, e njoftoi shefin e EULEX-it, Barbano, lidhur me aktivitetet dhe proceset e sistemit gjyqësor, si dhe të arriturat e KGJK-së dhe njëkohësisht shprehu përkushtimin dhe angazhimin e sistemit gjyqësor për vazhdimin e bashkëpunimit me misionin e EULEX, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit, rritjes së efektivitetit, transparencës dhe llogaridhënies.

Shefi i EULEX-it, gjithashtu shprehu gatishmërinë e tij për ofrimin e mbështetjes për institucionet e gjyqësore, përmes rolit të monitorimit drejt avancimit të sundimit të ligjit në vendin tonë, në pajtim me praktikat më të mira të BE-së.