Prishtinë, 14 maj 2024 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj dhe Drejtori Ekzekutiv i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Shkumbin Ahmetxhekaj, kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi në mes të KGJK-së dhe RTK-së, me qëllim të koordinimit dhe bashkëpunimit në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta duke u bazuar në kompetenca ligjore, si dhe funksionet institucionale dhe organizative të tyre në mes të KGJK-së dhe RTK-së, që kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Kryesuesi i KGJK-së, tha se ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës në sistemin gjyqësor, duke theksuar se Këshilli Gjyqësor mbetet i përkushtuar të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga kjo marrëveshje, me qëllim të zhvillimit dhe zbatimit të aktiviteteve të përbashkëta. Mes tjerash, Kryesuesi Zogaj ka falënderuar Projektin e USAID-it për Drejtësi për mbështetjen e vazhdueshme drejt këtij partneriteti.
Drejtori Ekzekutiv Ahmetxhekaj, tha se përmes kësaj marrëveshje me KGJK-në, do të rritet angazhimi i RTK-së në ngritjen e ndërgjegjësimit publik rreth funksionimit dhe sfidave të sistemit gjyqësor.
Kjo marrëveshje, është përkrahur nga Projekti i USAID-it për Drejtësi, si rezultat i angazhimin e tyre ndaj forcimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë.