KGJK, pjesë e mbledhjes së Këshillit Ministror për Integrim Evropian

KGJK, pjesë e mbledhjes së Këshillit Ministror për Integrim Evropian

Prishtinë, 2 maj 2024 – Zëvendës Kryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Arjeta Sadiku, po merr pjesë në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian ku u theksuan reformat kyçe të Programit Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE).

Gjatë këtij takimi, u diskutua zbatimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian, për vitin 2024, me ç ‘rast Këshilli Gjyqësor i Kosovës raportoi se për vitin 2024, ka paraparë gjithsej 13 masa në Planin Kombëtar për Integrim Evropian, prej tyre 7 masa legjislative dhe 6 masa zbatuese. Deri më tani, janë finalizuar një numër i konsiderueshëm masash legjislative të cilat priten vetëm për aprovim në KGJK.

Po ashtu, u raportua se gjatë vitit 2023, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në implementimin e masave të parapara në Planin Kombëtar për Integrim Evropian dhe në Agjendën për Reformën Evropiane. Kjo është dëshmuar nga përmbushja e 100% e masave të parapara në PKIE si dhe realizimi i 92.31% i indikatorëve në Agjendën për Reformën Evropiane.

Mes tjerash, në këtë takim u diskutua edhe për Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike, ku Këshilli Gjyqësor theksoi se ka dhënë kontributin e tij duke punuar në bashkëpunim me institucionet tjera të drejtësisë në drejtim të realizimit të këtij plani, dhe se është i gatshëm dhe i përkushtuar për të realizuar secilin obligim që merr përsipër për mirëqenien e qytetarëve të vendit.

Këshilli Gjyqësor, mbetet i përkushtuar për të vazhduar angazhimin në përmbushjen e të gjitha obligimeve ndaj perspektivës evropiane dhe procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.