Mbahet testi kualifikues për gjyqtarë në gjykatat e Republikës së Kosovës

Mbahet testi kualifikues për gjyqtarë në gjykatat e Republikës së Kosovës

Vushtrri, 21 prill 2024 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka organizuar testin kualifikues të kandidatëve për gjyqtarë në nivel të Gjykatave Themelore dhe Gjykatës Komerciale. Në kuadër të procesit të rekrutimit të 32 pozitave për gjyqtarë, ku morën pjesë 296 kandidatë, prej tyre, 147 femra dhe 149 meshkuj. Ky proces u mbajt në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Mbarëvajtjen e këtij procesi e ka mbikëqyrur KGJK-ja dhe komisioni i caktuar për testin kualifikues nga radhët e gjyqtarëve, me kryetarin e Komisionit për Rekrutimin e Gjyqtarëve, Kryesuesin e KGJK-së, Albert Zogaj, si dhe përfaqësues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Komisioni për Rekrutimin e Gjyqtarëve në ditën e mbajtjes së testit, nën monitorimin e përfaqësuesve vendorë dhe ndërkombëtarë, ka përpiluar testin kualifikues për kandidatët, me qëllim të rritjes së transparencës në sistemin gjyqësor.

KGJK ka ndërmarrë të gjitha veprimet që procesi i këtyre testeve të realizohet në mënyrë profesionale e të bazohet në meritokraci.

Pas vlerësimit të testit kualifikues, do të vazhdohet me fazat tjera sipas Rregullores dhe në përputhje me standardet më të avancuara ndërkombëtare.

Njoftohen kandidatët se komisioni është duke e vazhduar vlerësimin për testin kualifikues deri në nxjerrjen e rezultateve përfundimtare.