Raportohet lidhur me punën e gjykatave për tremujorin e I-rë (janar-mars) për vitin 2024

Raportohet lidhur me punën e gjykatave për tremujorin e I-rë (janar-mars) për vitin 2024

Prishtinë, 11 prill 2024 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 324-të me radhë, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Para anëtarëve të Këshillit, u raportua lidhur me ecurinë e veprimtarisë së punës së gjykatave për tremujorin e I-rë (janar-mars) për vitin 2024. Në këto raporte, mes tjerash ishin të përfshira edhe të dhënat për procesin e përfundimit të lëndëve nga kontratat kolektive dhe lëndëve përmbarimore; zbatimin e  planeve strategjike të KGJK-së; planifikimet e gjykatave në zvogëlimin e lëndëve të kundërvajtjes; zbatimin e përmbarimit në lëndët penale dhe kundërvajtëse; shkallën e efikasitetit të gjykatave në tre mujorin e parë; në mes lëndëve të pranuara dhe lëndëve të përfunduara; masat për rritjen e shkallës së efikasitetit në periudhën e ardhshme si dhe performanca e administratës.

Raportin për tremujorin e I-rë (janar-mars) për vitin 2024, e kanë paraqitur:

  • Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës;
  • U.D i Gjyqtarit Mbikëqyrës të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës;
  • Kryetari i Gjykatës së Apelit;
  • Kryetari i Gjykatës Komerciale;
  • Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë;
  • Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan;
  • Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren;
  • Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë;
  • Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë;
  • Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe
  • U.D i Kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Pas raportimit lidhur me punën e gjykatave për këtë periudhë, të gjitha raportet e punës u aprovuan nga anëtarët e Këshillit.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj i falënderoi të gjithë kryetarët e gjykatave për raportimet lidhur me punën e tyre, me ç’rast u bëri thirrje për angazhim me qëllim të rritjes së efikasitetit në punën e gjykatave.

KGJK ka miratuar emërimin e 3 gjyqtarëve nga komuniteti serb, të cilët i propozon tek Presidentja e Republikës së Kosovës:

  • Miljana Radojevic, Gjykata Themelore Prishtinë;
  • Nebojsa Sudimac, Gjykata Themelore Prishtinë dhe
  • Radomir Maksimović, Gjykata Themelore Gjilan, Dega në Novobërdë.

Anëtarët themeluan grupin punues për zhvillimin dhe implementimin e sistemit e-Pagesa, i cili do t’iu mundësojë qytetarëve të realizojnë pagesat e taksave gjyqësore dhe gjobave online, nga cilido vend dhe pajisje që ka qasje në internet.

KGJK autorizoi kryetarët e gjykatave që të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi me institucionet e arsimit të cilat kanë interesim, për angazhimin e studentëve për punë praktike në gjykatat e Republikës së Kosovës.

Këshilli miratoi ndryshimin e Planit të Punës së Gjykatës Themelore në Gjakovë, numër AGJ.I.nr.128/2024.