Filloi shpërndarja automatike e lëndëve në Gjykatën Komerciale

Filloi shpërndarja automatike e lëndëve në Gjykatën Komerciale

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) me datë 1 Prill 2024, ka vërë në zbatim funksionin e avancuar të shpërndarjes automatike të lëndëve në Sistemin e Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL) në Gjykatën Komerciale të Kosovës. Ky është një funksion i ri dhe shumë i avancuar që mundëson shpërndarjen e lëndëve në mënyrë automatike përmes sistemit të SMIL-it për caktimin e gjyqtarëve individual dhe krijimin e paneleve në rastet kur lëndët duhet të shqyrtohen nga një panel i gjyqtarëve.

Me vënien në funksion të shpërndarjes automatike të lëndëve përmes SMIL-it në Gjykatën Komerciale është arritur të kompletohet ky funksion për tre instancat gjyqësore: Gjykatën Supreme, Gjykatën e Apelit dhe të gjitha gjykatat themelore të vendit si dhe për të gjitha llojet e lëndëve gjyqësore si: penale, civile, ekonomike, administrative, kundërvajtje, etj.

Funksioni i shpërndarjes automatike të lëndëve përmes SMIL-it është proces tërësisht i automatizuar dhe funksionon sipas kritereve paraprakisht të përcaktuara. Këto kritere janë të barabarta për të gjithë gjyqtarët, si dhe gjatë procesit të regjistrimit të lëndës në sistem e bënë të pa mundur parashikimin nga regjistruesi i lëndës në sistem, për të ditur se cilin gjyqtar do e përcaktojë SMIL-i, për lëndën që është duke e regjistruar.

Përmes vënies në funksion të shpërndarjes automatike të lëndëve përmes SMIL-it në gjykatat e vendit, KGJK synon të rrisë efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve, transparencën në punën e gjykatave dhe besimin e qytetarëve.

KGJK inkurajon të gjithë qytetarët e veçanërisht profesionistët gjyqësorë të përdorin shërbime online që ofrohen përmes portalit të KGJK-së www.gjyqesori-rks.org si dhe përmes platformës e-Kosova, për: mekanizmi për përcjelljen e veprimeve me lëndë, lëshimi i certifikatës së evidencës penale, platforma e të dhënave të hapura, orari i seancave gjyqësore, etj.