Diskutohen komentet e shoqërisë civile rreth ndryshimit të udhëzimit administrativ për unifikimin e taksave gjyqësore

Diskutohen komentet e shoqërisë civile rreth ndryshimit të udhëzimit administrativ për unifikimin e taksave gjyqësore

Prishtinë, 2 prill 2024 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj dhe Kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave (KAGJ), Fahret Vellija, kanë pritur në takim përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile, për të diskutuar lidhur me komentet e tyre rreth Udhëzimin Administrativ për unifikimin e taksave gjyqësore, i cili ka kaluar fazën e konsultimit publik.

Gjatë takimit, u diskutuan komentet e përfaqësuesve të shoqërisë civile lidhur me përcaktimin e tarifave e taksave gjyqësore, me qëllim që të adresohen shqetësimet e ngritura si dhe të merren parasysh rekomandimet për të bërë ndryshimet e nevojshme të këtij udhëzimi administrativ.

Kryetari i KAGJ, njoftoi përfaqësuesit e shoqërisë civile se KGJK varësisht nga komentet e pranuara do të vendoset për hapat e ardhshëm lidhur me miratimin e këtij udhëzimi, me ç’rast u ofrua edhe një afat shtesë prej 7 ditësh për pranimin e komenteve dhe sugjerimeve nga shoqëria civile. Gjithashtu, ai shprehu gatishmërinë nga ana e Këshillit për përkrahjen e punës dhe aktiviteteve të shoqërisë civile të cilat kanë për synim avancimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e llogaridhënies dhe transparencës.

KGJK vlerëson rolin dhe punën e organizatave të shoqërisë civile dhe falënderoi të pranishmit për kontributin e tyre, duke theksuar se vazhdon t’i merr me seriozitet të gjitha rekomandimet nga organizatat e shoqërisë civile.