Nënshkruhet marrëveshja për pranimin e donacionit të dhuruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes programit INL

Nënshkruhet marrëveshja për pranimin e donacionit të dhuruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes programit INL

Prishtinë, 21 mars 2024 – Përfaqësuesit e sistemit gjyqësor dhe të Shërbimit Korrektues të Kosovës, pritën sot në takim Ndihmës Sekretarin Amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL), Todd D. Robinson, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë.

Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues nga Ambasada Amerikane, sistemi gjyqësor dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Gjatë kësaj vizite, Ndihmës Sekretari Todd D. Robinson, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani nënshkruan marrëveshjen për pranimin e donacionit të dhuruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes programit INL, për pajisjet e audio dhe video incizimit që do të përdoren për regjistrimin e seancave gjyqësore.

Kjo marrëveshje shënon një hap tjetër të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e drejtësisë.

Pas kësaj ceremonie, përfaqësuesit e institucioneve vazhduan takimin me Ndihmës Sekretarin Robinson, me ç’rast kanë diskutuar për reformat e sundimit të ligjit, duke përfshirë vettingun e gjyqësorit dhe ndarjen e pushteteve mes qeverisë dhe sektorit të drejtësisë, me qëllim që të thellohet pavarësia dhe profesionalizmi i institucioneve të drejtësisë. Mes tjerash, u diskutuan sfidat e korrupsionit dhe nevoja për reforma ligjore për të luftuar trafikimin me narkotikë, duke përqendruar përpjekjet për zbatimin e ligjit me standarde evropiane.

Ndihmës Sekretari Robinson, theksoi bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës dhe diskutoi mbi rëndësinë kritike të forcimit të shtetit të së drejtës, rëndësinë e një gjyqësori të pavarur dhe reformave në drejtësi.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, falënderoi Ndihmës Sekretarin Robinson, përfaqësuesit e Ambasadës dhe INL për mbështetjen drejt forcimit të kapaciteteve të sistemit gjyqësor dhe implementimin e këtij projekti, i cili ndikon në rritjen e cilësisë së shërbimeve të gjykatave dhe njëherit vlerësohet si një nga projektet më të rëndësishme për sistemin gjyqësor.