Po mbahet punëtoria e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit dhe KGJK-së lidhur me diskutimin mbi kthimin e çështjeve në rishqyrtim

Po mbahet punëtoria e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit dhe KGJK-së lidhur me diskutimin mbi kthimin e çështjeve në rishqyrtim

Pejë, 14 -15 mars 2024 – Gjykata Supreme e Kosovës, Gjykata e Apelit dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), me mbështetjen e Projektit të USAID për Drejtësi, ka organizuar punëtori lidhur me shqyrtimin dhe diskutimin mbi kthimin e çështjeve në rishqyrtim si dhe çështjeve të tjera me rëndësi, me qëllim të përmirësimit të efikasitetit në sistemin gjyqësor.

Në këtë punëtori, po marrin pjesë: Gjykata Supreme, Gjykata e Apelit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, gjyqtarë nga Gjykata Supreme, gjyqtarë nga Gjykata e Apelit si dhe përfaqësues të projektit.

Punëtoria ka në fokus të diskutimit shqyrtimin e çështjeve, si: të gjeturat nga raportet e monitorimeve të gjyqësorit; shkaqet e kthimit të çështjeve në rishqyrtim sipas raportit vjetor; shkeljet e Kodit të Procedurës Penale dhe shkeljet e procedurës kontestimore/përmbarimore si shkak për kthimin çështjeve në rishqyrtim; shkaqet për zbatimin e gabuar të ligjit material dhe konstatimit jo të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike si shkak për kthimin e çështjeve në rishqyrtim; çështjet administrative (aspektet procedurale dhe materialo – juridike); zbatimi i udhëzuesit për politikë ndëshkimore dhe sfidat për zbatimin e udhëzuesit; sfidat për trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar; sfidat në trajtimin e rasteve në familjare, trashëgimore dhe rastet e dhunës në familje; sfidat në trajtimin e rasteve nga marrëdhëniet detyrimore; sfidat në administrimin e proceseve gjyqësore, masat e sigurimit të pandehurit në procedurë dhe masat e veçanta hetimore; sfidat për zbatimin të Kodit Penal për të Mitur, dhe të tjera.