Kryesuesi Zogaj, ka pritur në takim Zëvendës shefen e EULEX-it, Emily Rakhorst

Kryesuesi Zogaj, ka pritur në takim Zëvendës shefen e EULEX-it, Emily Rakhorst

Prishtinë, 8 mars 2024 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka pritur sot në takim Zëvendës shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Emily Rakhorst.

Kryesuesi Zogaj, gjatë këtij takimi e ka uruar Zëvendës shefen e EULEX-it, znj. Rakhorst për detyrën re, me ç’rast e ka falënderuar për mbështetjen e këtij misioni duke e vlerësuar si partner të fuqishëm në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, dhe si të rëndësishëm rolin e tij në monitorimin e punës së institucioneve gjyqësore.

Kryesuesi Zogaj, e njoftoi zëvendës shefen e EULEX-it, me funksionimin, sfidat, proceset, prioritetet, si dhe të arriturat e institucionit dhe njëkohësisht shprehu përkushtimin dhe angazhimin e sistemit gjyqësor për vazhdimin e bashkëpunimit me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit, rritjes së efektivitetit, transparencës, llogaridhënies, si dhe ngritjes së besimit të qytetarëve në gjyqësor.

Nga ana tjetër, Zëvendës shefja  e EULEX-it, e përgëzoi Kryesuesin Zogaj, për progresin e shënuar në sistemin gjyqësor, gjithashtu ajo shprehu gatishmërinë e saj në emër të misionit, për ofrimin e mbështetjes për institucionet e pavarura gjyqësore, përmes rolit të monitorimit drejt avancimit të sundimit të ligjit në vendin tonë, në pajtim me praktikat më të mira të BE-së.

Duke e vlerësuar si tejet të nevojshëm bashkëpunimin me misionet ndërkombëtare, palët u pajtuan që KGJK dhe EULEX, kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe ekziston vullneti për të vazhduar dhe për tu koordinuar edhe më tutje ky bashkëpunim, me qëllim të arritjes së objektivave e që ndikojnë në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit  në Kosovë.