KGJK pjesë e konferencës së lansimit të studimit për Sistemin e Integritetit Kombëtar në Kosovës

KGJK pjesë e konferencës së lansimit të studimit për Sistemin e Integritetit Kombëtar në Kosovës

Prishtinë, 8 mars 2024 – Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi morri pjesë në Konferencën e Lansimit të Studimit për Sistemin e Integritetit Kombëtar në Kosovë, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (IDK).

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte prezantimi i gjetjeve kryesore të studimit të Sistemit të Integritetit Kombëtar në Kosovë, ku me anë të tyre kërkohet një mjedis pa korrupsion, ku institucionet, biznesi dhe qytetarët ushtrojnë të drejtat dhe rolet e tyre me integritet dhe dinjitet, me mision, mbështetjen e zhvillimit të demokracisë pjesëmarrëse dhe luftës kundër korrupsion përmes promovimit të transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në të gjitha nivelet dhe sektorët e shoqërisë.

Anëtari i KGJK-së, Vilard Bytyqi ishte pjesë e panelit me temën “Performanca e sistemit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit”, ku theksoi që: “Trajtimi i çështjes së korrupsion nga perspektiva e sistemit gjyqësor mbetet si prioritet i lartë dhe është i përcaktuar në nivelin më të lartë strategjik ku reflektohet në tri dokumente të rëndësishme strategjike të KGJK-së, përkatësisht Planin Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025; Planin Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022-2024; dhe Planin e veprimit për Departamentin Special të Gjykatës Themelore Prishtinë për vitin 2024.” Gjithashtu theksoi se “Gjyqësori ka marrë masa pro-aktive duke plotësuar organogramin e Departamentit Special të GJ.Th. në Prishtinë me tre gjyqtarë. Gjithashtu janë organizuar dhe po organizohen tryeza profesionale dhe diskutime të brendshme ndërmjet instancave gjyqësore që për fokus kanë trajtimin e gjetjeve gjatë kontrollimit të aktgjykimeve të gjykatave të instancave më të ulëta, duke u fokusuar në trajtimin e problemeve konkrete, me synim gjetjen e zgjidhjeve të duhura, të përshtatshme dhe ndërtimin e një praktike unike.” Në fund theksoi se “Çështja e efikasitetit në lëndët e korrupsionit po sfidohen nga buxheti i pamjaftueshëm, resurset e pamjaftueshme dhe koha e pamjaftueshme e cila kërkohet për tu konsoliduar me profesionistë me përvojë për t’i ushtruar këto përgjegjësi komplekse”.

Pika tjera të cilat u diskutuan në këtë panel ishin: Kapacitetet dhe resurset e gjyqësorit për luftimin e korrupsionit, ndikimi politik në trajtimin e rasteve të korrupsionit, llogaridhënia e gjyqësorit për mostrajtimin adekuat të rasteve të korrupsionit, dhe politika e butë ndëshkimore nga ana e gjykatave në trajtimin e rasteve të korrupsionit në Kosovë.