Kryetari i Gjykatës Supreme dhe Kryesuesi i KGJK-së, pjesë e konferencës vjetore të prokurorëve të shtetit

Kryetari i Gjykatës Supreme dhe Kryesuesi i KGJK-së, pjesë e konferencës vjetore të prokurorëve të shtetit

Prishtinë, 2 mars 2024 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, morrën pjesë në konferencën vjetore të prokurorëve të shtetit në të cilën morën pjesë Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, përfaqësues nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe kryeprokurorë dhe prokurorë nga të gjitha prokuroritë e vendit.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi në fjalimin e tij, ka theksuar dy çështje thelbësore: politikën ndëshkimore dhe seancën për matjen e dënimit, me ç’rast ka bërë thirrje për përfshirjen e të gjithë akterëve të drejtësisë në angazhimin për të garantuar që gjyqtarët dhe prokurorët të zbatojnë detyrat e tyre në mënyrë të pavarur dhe të drejtë. 

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se sfidat në administrimin e institucioneve tona janë reale dhe komplekse dhe efikasiteti i tyre është çështje kritike, prandaj për të arritur këtë duhet të jemi të përkushtuar për në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe vendimmarrjes, duke pasur prioritet mbrojtjen e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Gjatë konferencës, u diskutuan tema, si: Objektivat e Prokurorit të Shtetit për vitin 2024; Hyrja në fuqi e Ligjit për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës; Sekuestrimi dhe konfiskimi në procedurën penale; Statuti i Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës; Programi ‘Wake Forest’ nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë, si dhe çështje të tjera me rëndësi për sistemin e drejtësisë.