Prishtinë, 1 mars 2024 –
Është mbajtur sot konferenca vjetore e Forumit të Grave Gjyqtare dhe Prokurore e udhëhequr nga kryetarja e këtij forumi, Vlora Pacolli Rexhepi, për të trajtuar dhe diskutuar çështje me rëndësi lidhur me barazinë gjinore në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, si dhe përfaqësimin gjinor në të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Në këtë konferencë, po marin pjesë përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Këshilli Prokurorial i Kosovës, Misioni i OSBE-së në Kosovë, Ambasada Amerikane si dhe gra gjyqtare dhe prokurore nga gjykatat dhe prokuroritë.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, theksoi se Këshilli Gjyqësor, në kuadër të prioriteteve për fuqizimin e pozitës së gruas në sistemin gjyqësor, do të vazhdoj angazhimin në këtë drejtim për të ndërmarrë masa konkrete dhe politika që do të fuqizojnë dhe promovojnë rolin e grave në gjyqësor, duke siguruar një ambient të barabartë dhe të drejtë për të gjithë profesionistët e drejtësisë, pavarësisht gjinisë.
Me këtë rast, kryetarja e Forumit të Grave Gjyqtare dhe Prokurore, Vlora Pacolli-Rexhepi, falënderoi Misionin e OSBE-së në Kosovë për përkrahjen dhe mbështetjen e forumit në krijimin e mundësive për fuqizimin gjinor në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës, të cilat kanë ndikim, jo vetëm në strukturën dhe sistemin ligjor, por edhe në vetë besimin e shoqërisë në sistemin e drejtësisë.
Kryetarja e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, Teuta Ibrahimi, theksoi se një gjyqësor që është i pavarur, i paanshëm dhe i ndjeshëm ndaj gjinisë ka një rol thelbësor në avancimin e të drejtave të njeriut të grave dhe burrave, arritjen e barazisë gjinore dhe të siguruarit që çështjet gjinore të integrohen brenda ndarjes së drejtësisë.
Mes tjerash, u diskutuan arritjet dhe sfidat e Forumit të Grave Gjyqtare dhe Prokurore, perspektivat e grave juriste nga nivele të ndryshme të sistemeve gjyqësore dhe prokuroriale si dhe aktivitetet e vitit 2024 për shoqatat e reja të grave gjyqtare dhe prokurore.
Forumi i Grave Gjyqtare dhe Prokurore është ndarë në dy forume të veçanta, me ç’rast janë mbajtur edhe zgjedhjet për të dyja forumet dhe pas votimit rezultoi që Gjyqtarja në Gjykatën Supreme, Valdete Daka, u zgjodh kryetare e Forumit të Gjyqtarëve ndërsa Prokurorja në ZKPSH, Laura Pula, u zgjodh Kryetare e Forumit të Prokuroreve.