Mbahet takimi i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Mbahet takimi i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Prishtinë, 20 shkurt 2024 – Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës mbajti sot takimin e radhës me ç’rast janë diskutuar pikat e rendit të ditës:

  • Anëtarët e Asamblesë diskutuan lidhur me të gjeturat nga Raporti i inspektimit për identifikimin e arsyeve për hedhjen e kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë si “jo lëndore”, të përgatitur nga Njësia për Inspektim Gjyqësor. Lidhur me këtë çështje, Asambleja rekomandoi Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të vlerësuar mundësitë e lidhjes së memorandumeve të bashkëpunimit me qendrat e paraburgimit dhe qendrat korrektuese.
  • Asambleja diskutoi rreth performancës dhe nevojës së ndryshimit në sistemin e vlerësimit, me ç’rast rekomanduan KGJK-në të themelojë një grup me gjyqtarë të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit, i cili bën vlerësimin e performancës së gjyqtarëve çdo 5 vite, duke pasur mundësi edhe për vlerësimin e jashtëzakonshëm të performancës në raste të nevojshme.
  • Anëtarët diskutuan lidhur me nevojën e forcimit dhe unifikimit të praktikave gjyqësore, me qëllim të zhvillimit dhe avancimit të sistemit gjyqësor. Kryesuesi i Asamblesë, Fejzullah Rexhepi, theksoi se kryetarët e gjykatave duhet të caktojnë kolegjiume profesionale dhe të shohin mundësitë e ngritjes së nivelit sa i përket vendimmarrjes, duke identifikuar se cilat vendime nuk janë të unifikuara.
  • Gjatë takimit, u diskutua rreth kërkesës së Forumit të Grave Gjyqtare dhe Prokurore të Kosovës për miratimin dhe zbatimin e masave të veçanta për të arritur përfaqësim të barabartë të grave gjyqtare në sistemin gjyqësor, me ç’rast Asambleja rekomandoi KGJK-në që në vazhdimësi të zbatojë dispozitat ligjore të pjesëmarrjes së grave në sistemin gjyqësor.
  • Anëtarët e Asamblesë diskutuan qasjen e Misionit të EULEX-it për monitorim në qendrat e paraburgimit dhe burgje, duke rekomanduar KGJK-në për të vlerësuar mundësitë e lidhjes së një memorandumi të bashkëpunimit në mes të KGJK-së, Ministrisë së Drejtësisë dhe Misionit të EULEX. Po ashtu, lidhur me kërkesat nga Policia e Kosovës, mbetet çështje për diskutim bashkëpunimi në mes të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj – Departamenti i Kufirit, me gjykatat e Republikës së Kosovës, në rastet ku janë të përfshirë shtetasit e huaj.
  • Asambleja diskutoi rreth pozitave të lira në gjykata dhe mungesës së stafit në sistemin gjyqësor në përgjithësi, me ç’rast rekomanduan Sekretariatin e KGJK-së të ndërmarr veprimet e nevojshme dhe të krijojë plane konkrete për plotësimin e vendeve të lira në gjykata.