Kryesuesi Zogaj dhe Kryetari Totaj, pjesë e Konferencës ndërkombëtare “E ardhmja e zgjerimit të Bashkimit Evropian: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”

Kryesuesi Zogaj dhe Kryetari Totaj, pjesë e Konferencës ndërkombëtare “E ardhmja e zgjerimit të Bashkimit Evropian: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”

Zagreb, 19-20 shkurt 2024 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj dhe Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, morën pjesë në konferencën ndërkombëtare “E ardhmja e zgjerimit të Bashkimit Evropian: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Administratës Publike e Republikës së Kroacisë.

Kjo konferencë ka mbledhur ministra nga Ballkani Perëndimor, Ukraina, Turqia, Gjeorgjia dhe Moldova, përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, përfaqësues të sistemit të drejtësisë nga të gjitha vendet, duke përfshirë Kroacinë, Shqipërinë, Maqedoninë Veriore, Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, ku nga Republika e Kosovës morën pjesë edhe Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi.

Trajtimi i temave u përqendrua në sfidat dhe hapat e nevojshëm për të arritur standardet e Bashkimit Evropian, Pavarësia dhe llogaridhënia e gjyqësorit; Efikasiteti i gjyqësorit; Shtypja e korrupsionit; Parandalimi i korrupsionit si dhe Reforma në drejtësinë administrative gjatë negociatat e anëtarësimit.

Në fjalimin e tyre, Kryesuesi Zogaj dhe Kryetari Totaj theksuan përkushtimin e institucioneve gjyqësore të Kosovës për të forcuar pavarësinë dhe profesionalizmin e sistemit gjyqësor, si dhe diskutuan për rëndësinë e trajtimit të temave të rëndësishme, duke përfshirë reformën gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e të drejtave themelore për të gjithë qytetarët. Po ashtu, Zogaj dhe Totaj diskutuan për reformat, të arriturat dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Konferenca dy ditore, krijoi një platformë të rëndësishme për dialogun dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e drejtësisë, për të përmbushur parakushtet në procesin e integrimit.