Raportohet lidhur me punën e gjykatave gjatë vitit 2023

Raportohet lidhur me punën e gjykatave gjatë vitit 2023

Prishtinë, 25 janar 2024 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 319-të me radhë, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Para anëtarëve të Këshillit, u raportua lidhur me ecurinë e veprimtarisë së punës së gjykatave për tremujorin e IV-të (tetor – dhjetor) për vitin 2023 si dhe punën e gjykatave në përgjithësi gjatë vitit 2023. Në këto raporte, ishin të përfshira të dhënat për numrin e përgjithshëm të lëndëve, siç janë numri i lëndëve të pranuara, numri i lëndëve të kryera dhe atyre që janë duke u trajtuar nga gjykatat. Po ashtu, është prezantuar lidhur me publikimin e vendimeve gjyqësore, zbatimin e mendimeve juridike të Gjykatës Supreme, zbatimin e Planeve Strategjike të KGJK-së, masat që janë paraparë për realizimin e objektivave për vitin 2024, planifikimin për kualitetin e të dhënave në Sistemin e Menaxhimit Informativ të Lëndëve përfshirë Evidencën Penale si dhe mbikëqyrjen e administratës.

Raportin për tremujorin e IV-të (tetor – dhjetor) për vitin 2023 si dhe Raportin për punën e gjykatave gjatë vitit 2023, e kanë paraqitur:

• Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës;
• U.D. Gjyqtarit Mbikëqyrës të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme;
• Nënkryetarja e Gjykatës së Apelit;
• Kryetari i Gjykatës Komerciale;
• Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë;
• Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan;
• Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren;
• Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë;
• Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë;
• Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe
• Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë

Pas raportimit lidhur me punën e gjykatave për këtë periudhë, të gjitha raportet e punës si dhe planet e punës së gjykatave për vitin 2024 u aprovuan nga anëtarët e Këshillit.

Raportin për punën e Departamentit Special në kuadër të Gjykatës së Apelit dhe Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për vitin 2023, e kanë paraqitur Udhëheqësit e këtyre departamenteve.

Për vitin 2023, ka raportuar edhe Kryetari i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024;

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj falënderoi kryetarët e gjykatave për raportimet lidhur me punën e tyre si dhe u bëri thirrje për angazhim me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies në punën e gjykatave, duke zbatuar planet strategjike të KGJK-së si dhe duke përmbushur obligimet lidhur me normën e gjyqtarëve.

Takimi i KGJK-së po vazhdon me diskutimin e pikave të tjera të rendit të ditës.