KGJK ka vazhduar takimin e 319-të

KGJK ka vazhduar takimin e 319-të

Prishtinë, 25 janar 2024 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka vazhduar takimin e 319-të me radhë, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Raportin vjetor për vitin 2023, para anëtarëve të KGJK-së, e kanë paraqitur:

• Komisioneri për Mbikëqyrjen e Procesit të Përgjimeve të Komunikimeve për vitin 2023;
• Koordinatorja për rastet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave për vitin 2023 dhe
• Kryetarja e Panelit për Lirim me Kusht.

Gjatë takimit, u prezantuan raportet vjetore për vitin 2023, lidhur me:
• Kërkesat për qasje në dokumente publike në sistemin gjyqësor gjatë vitit 2023, i cili raport u miratua nga anëtarët;
• Kërkesat për trajtimin e sinjalizimit në sistemin gjyqësor për vitin 2023 dhe
• Përpunimin e të dhënave personale për vitin 2022 dhe 2023.

Anëtarët u njoftuan lidhur me aprovimin e buxhetit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

KGJK miratoi:

• Propozimin për riemërim me mandat të përhershëm tek Presidentja e Republikës së Kosovës të Taulant Rexhëbeqaj, gjyqtar me mandat fillestar në Gjykatën Themelore në Prizren;
• Shpalljen e pozitës për përzgjedhjen e zëvendës kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Vendimin për hapjen e procesit për përzgjedhjen e Zëvendës Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës;
• Vendimin për mbajtjen e dosjes në procedurë përmbarimore nga gjykata e shkallës së parë kur vendosin sipas prapësimit;
• Vendimin që vendimet në procedurë penale pavarësisht nga lloji i dënimit dhe shpenzimeve gjyqësore apo paushallit të ekzekutohen duke krijuar një dosje;
• Njoftimin e Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në SKGJK, për pensionimin e një gjyqtare në Gjykatën e Apelit dhe një gjyqtare në Gjykatën Themelore në Gjilan, Dega në Viti;
• Anëtarët refuzuan ankesën e një gjyqtare kundër njoftimit të Kryetares së Gjykatës Themelore Prishtinë, lidhur me kërkesën për transferim;
• Miratuan kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për lejimin e qasjes në lëndët gjyqësore civile në Gjykatën e Apelit, të cilat kanë kaluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjilan, për çështje të analizave në kuadër të projektit “Avancimi i Drejtësisë me fokus te qytetarët”;
• Propozimin për njoftimin e kryetarëve të gjykatave për vlerësimin e performancës së 11 gjyqtarëve mbikëqyrës për vitin 2024:
• Kërkesën e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj për transferimin e përkohshëm të një bashkëpunëtori profesional në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dega në Shtërpcë;
• Propozimin e kritereve për shpërndarjen e lëndëve në gjykatat e Republikës së Kosovës përmes Sistemit të menaxhimit informativ të lëndëve (SMIL) dhe mënyrën e zbatimit të tyre të plotësuar me kriteret për Gjykatën Komerciale, si dhe
• Ndryshimin dhe plotësimin e vendimit KGJK.nr.449/2023, sa i përket përbërjes së Komisionit për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesional në gjykatat e Republikës së Kosovës, ashtu që në vend të anëtarit Artan Abazi, caktohet Hysni Bardheci gjyqtar në Gjykatën e Apelit.