Kryesuesi Zogaj priti në takim Auditoren e Përgjithshme të Republikës së Kosovës

Kryesuesi Zogaj priti në takim Auditoren e Përgjithshme të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 18 janar 2024 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, ka pritur në takim Auditoren e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditorin e Përgjithshëm, Bezad Halilaj.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi rreth bashkëpunimit në mes të KGJK-së dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës lidhur me raportet e auditimit për përdorim efektiv të fondeve publike, si dhe diskutimi për zbatimin e standardeve dhe praktikave më të mira në proceset e menaxhimit transparent të financave publike.

Me këtë rast, Kryesuesi Zogaj njoftoi Auditoren e Përgjithshme për angazhimin e sistemit gjyqësor, duke theksuar zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm si dhe Njësisë së Auditimit të Brendshëm të KGJK-së.

Kryesuesi Zogaj dhe Auditorja e Përgjithshme Spanca shprehën përkushtimin e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit me qëllim të rritjes së përgjegjësisë publike në fushën e zbatimit të ligjit, si dhe në trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët.