Mbahet ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për përkthyesit dhe/ose përkthyesit dhe interpretët gjyqësorë të certifikuar

Mbahet ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për përkthyesit dhe/ose përkthyesit dhe interpretët gjyqësorë të certifikuar

Prishtinë, 27 dhjetor 2023 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka organizuar sot ceremoninë e radhës për shpërndarjen e certifikatave për përkthyesit dhe/ose përkthyesit dhe interpretët gjyqësorë të certifikuar.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë proces për sistemin gjyqësor, falënderoi anëtarët e komisioneve vlerësuese si dhe monitoruesit ndërkombëtarë për pjesëmarrjen e tyre dhe kontributin e tyre, me qëllim që procesi të jetë profesional dhe transparent.

Kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave, Fahret Vellija, theksoi se certifikimi i përkthyesve dëshmon angazhimin dhe besueshmërinë e tyre në sigurimin e drejtësisë për të gjithë, si dhe garanton cilësinë e shërbimit në sistemin gjyqësor në gjuhë të ndryshme.

Gjithsejtë, 152 kandidatë të rinj janë certifikuar dhe emëruar nga KGJK, prej tyre 104 kandidatë janë certifikuar si përkthyes gjyqësorë, ndërsa 48 janë certifikuar si përkthyes dhe interpretë gjyqësorë për shtatë çifte të gjuhëve:

  • Shqip – Serbisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Anglisht dhe anasjelltas
  • Serbisht – Anglisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Turqisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Gjermanisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Italisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Frëngjisht dhe anasjelltas

Ndërsa, 325 kandidatë janë ricertifikuar dhe automatikisht janë futur në listën e re të përkthyesve dhe/ose përkthyesve dhe interpretëve gjyqësorë, nga të cilët 135 kandidatë janë ricertifikuar si përkthyes gjyqësorë, ndërsa 190 kandidatë janë ricertifikuar si përkthyes dhe interpretë gjyqësorë për 23 çifte të gjuhëve:

  • Shqip – Serbisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Anglisht dhe anasjelltas
  • Serbisht – Anglisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Turqisht dhe anasjelltas
  • Serbisht – Turqisht dhe anasjelltas
  • Turqisht – Anglisht dhe anasjelltas
  • Turqisht – Boshnjakisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Sllovenisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Turqishte e vjetër dhe anasjelltas
  • Shqip – Gjermanisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Italisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Frëngjisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Boshnjakisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Kroatisht dhe anasjelltas
  • Boshnjakisht – Anglisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Maqedonisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Çekisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Rusisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Finlandisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Suedisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Polonisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Arabisht dhe anasjelltas
  • Shqip – Norvegjisht dhe anasjelltas

Për më tepër, njoftohen kandidatët se shpërndarja e certifikatave dhe kartelave identifikuese për përkthyes dhe/ose përkthyes dhe interpretë gjyqësorë fillon nga data 9 janar 2024 (e martë) deri më 30 janar 2024, në objektin e Këshillit Gjyqësor. Kandidatët duhet personalisht ta tërheqin certifikatën dhe kartelën e tyre si dhe ta posedojnë letërnjoftimin me veti.