KGJK ka vazhduar takimin e 318-të

KGJK ka vazhduar takimin e 318-të

Prishtinë, 27 dhjetor 2023 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka vazhduar takimin e 318-të me radhë, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Gjatë takimit, KGJK ka miratuar:

  • Udhëzimin Administrativ për Procedurat për Kompensimin e Mbrojtësve me Shpenzime Publike.
  • Planin e veprimit për trajnimin e gjyqtarëve për vitin 2024.
  • Planin vjetor të punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2024.
  • Përmbajtjen e Raportit vjetor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe gjykatave për vitin 2023.
  • Planin vjetor (orarin e takimeve) të KGJK-së për vitin 2024.
  • Planin e përgjithshëm të personelit për gjyqtar dhe administratën gjyqësore për vitin 2024, që përfshinë të gjitha nivelet e gjykatave, zbatimi i të cilit ndihmon në përmirësimin e performancës së gjyqësorit.
  • Projekt planin e punësimit 5 vjeçar për periudhën 2025 – 2029.
  • Planin e veprimit lidhur me ekzekutimin e lëndëve në gjykata 2024 – 2025.
  • Rekomandimet e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës nga takimi i datës 12 dhjetor 2023.
  • Caktimin e anëtarëve të Asamblesë nga radhët e gjyqtarëve mbikëqyrës për vitin 2024, si në vijim:
    • Gjykata Themelore në Prishtinë – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Fushë Kosovë;
    • Gjykata Themelore në Gjilan – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Novobërdë;
    • Gjykata Themelore në Prizren – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Dragash;
    • Gjykata Themelore në Mitrovicë – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Skenderaj;
    • Gjykata Themelore në Gjakovë – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Rahovec;
    • Gjykata Themelore në Pejë – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Klinë dhe
    • Gjykata Themelore në Ferizaj – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Shtërpcë.
  • Përzgjedhjen me short të 1/3 së gjyqtarëve me mandat të përhershëm të cilët nuk e kanë të vlerësuar performancën, që t’i nënshtrohen vlerësimit të performancës në vitin 2024, për vitet 2021, 2022, 2023, të radhitur sipas gjykatave në programin Excel, përmes komandës ‘random’.
  • Caktimin e Arben Haskaj, në pozitën e ushtruesit të detyrës së Administratorit të Gjykatës Themelore në Pejë, i cili do të shërbej si ushtrues i detyrës së administratorit nga data 27 dhjetor 2023 deri në një vendim tjetër të KGJK-së.
  • Njoftimin e Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në SKGJK për pensionim një gjyqtari në Gjykatën Themelore Ferizaj.
  • Emërimin e Saime Sylaj, në pozitën e gjyqtares porote në Gjykatën Themelore në Pejë, me mandat pesë vjeçar, me të drejtë ri emërimi, mandati i së cilës fillon nga data 1 janar 2024.
  • Dorëheqjen e një gjyqtari porot në Gjykatën Themelore Ferizaj, Dega në Shtërpcë.
  • Themelimin e grupit punues për definimin e kritereve për shpërndarjen automatike të lëndëve përmes SMIL për Gjykatën Komerciale. Po ashtu, u miratua propozimi që nga data 1 janar 2024, të gjitha lëndët e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale të përfundohen me sistemin SMIL.
  • Autorizimin e Kryesuesit të KGJK-së, që të nënshkruaj Memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet KGJK-së, Ministrisë së Drejtësisë dhe Odës së Noterëve të Kosovës.
  • Autorizimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KGJK-së, që të nënshkruaj Memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet KGJK-së dhe Komunës së Prishtinës lidhur me vendosjen e Gjykatës Supreme në objektin e ish Gjykatës së Qarkut.