Mbahet konferenca vjetore e sistemit gjyqësor

Mbahet konferenca vjetore e sistemit gjyqësor

Prishtinë, 20 dhjetor 2023 – Është mbajtur sot ‘Konferenca Vjetore e Sistemit Gjyqësor’ për vitin 2023, e organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në ditën e pestë të ‘Ditëve të Gjyqësorit’ dhe e mbështetur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Të pranishëm në konferencë ishin: anëtarët e KGJK-së, kryetarët e gjykatave, partnerë vendorë dhe ndërkombëtar si dhe përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile dhe mediave, që përcjellin punën e sistemit gjyqësor.

Gjatë kësaj konference, u diskutua lidhur me standardet në sistemin e drejtësisë, transparencën e gjyqësorit, gjykatat dhe departamentet e specializuara, pavarësia buxhetore si dhe çështje tjera që janë me ndikim në avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, theksoi reformat në drejtësi gjatë vitit 2023, aktivitetet e ndërmarra nga sistemi gjyqësor drejt rritjes së efikasitetit dhe zbatimin e Planit të punës së KGJK-së. Ai gjithashtu, ka shpalosur edhe aktivitetet e ndërmarra nga sistemi gjyqësor, e që janë: Strategjia për qasje në drejtësi, Plani i veprimit për lëndët e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Norma e gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesional, Zbatimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit, Zbatimi i Masave nga Plani Kombëtarë për Integrim Evropian, Themelimi i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e planeve strategjike etj.

Kryesuesi Zogaj, duke përmendur sfidat e gjyqësorit në drejtësi, kërkoi angazhim më të madh drejt rritjes së cilësisë së vendimmarrjes dhe besimit të publikut si dhe rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor.

Kryesuesi i KGJK-së, ka falënderuar përfaqësuesit e partnerëve vendor dhe ndërkombëtar, si dhe shoqërinë civile dhe mediat për punën e tyre në vazhdimësi duke mundësuar që në mënyrë transparente dhe profesionale, të përcjellin zërin e sistemit gjyqësor tek publiku. Zogaj theksoi se, KGJK mbetet e hapur për bashkëpunim drejt avancimit dhe rritjes së llogaridhënies së gjyqësorit.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, theksoi arritjet dhe sfidat e Gjykatës Supreme gjatë këtij viti, duke përfshirë publikimin e përmbledhjeve të Gjykatës Supreme, zbatimin e politikës ndëshkimore me udhëzuesit e Gjykatës Supreme, caktimin e masave të sigurisë, numrin e madh të lëndëve në çështjet civile si dhe përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore që kanë për qëllim zhvillimin dhe avancimin e sistemit gjyqësor.

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, diskutoi rreth transparencës së gjyqësorit, duke theksuar trendin e rritjes së numrit të vendimeve, vendimeve disiplinore, seancave gjyqësore të publikuara në ueb faqet zyrtare të gjykatave. Kryetari Totaj theksoi se transparenca e gjyqësorit duhet konsideruar si parakusht për ngritjen e llogaridhënies dhe profesionalizmit.

Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, tha se performanca e Gjykatës Komerciale në vitin e parë të operimit, ka qenë e jashtëzakonshme, pavarësisht ngarkesës me lëndë të trashëguara, dhe numrit më të vogël të gjyqtarëve dhe stafit, falë përkrahjes së KGJK-së, partnerëve ndërkombëtar dhe stafit të gjykatës në këtë rrugëtim.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, prezantoi lidhur me Departamentin Special, duke theksuar se ky departament gjatë këtij viti ka arritur të realizojë Planin e punës mbi 100%. Kryetarja Shabani-Rama, falënderoi mediat dhe monitoruesit për përkushtimin dhe sigurimin e informatave të sakta, drejt rritjes së transparencës së gjykatave. 

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel, gjyqtari Avni Mehmeti, theksoi se buxhetit i nevojshëm për gjyqësorin është thelbësor për të avancuar standardet profesionale dhe për të krijuar mundësi që të funksionojë me efikasitet dhe integritet maksimal në shërbim të drejtësisë për të gjithë. Gjyqtari Mehmeti tha se buxheti i lejuar për sistemin gjyqësor për vitin 2024 ka ngritje të ulët prej 4.83%, duke theksuar se nuk janë marr parasysh të gjitha kërkesat shtesë nga KGJK, dhe kjo ndikon negativisht në performancën e përgjithshme të gjyqësorit.

Nga ana tjetër, ishte zëri i shoqërisë civile dhe mediave me pyetje dhe komente të hapura, të cilët falënderuan krerët e sistemit gjyqësor për mundësinë e dhënë drejtë realizimit të kërkesave të tyre në raport me sistemin gjyqësor.

Me të gjitha aktivitetet gjatë pesë ditëve, KGJK ka përmbyllur “Ditët e Gjyqësorit” 2023, ku u bë thirrje që të ketë angazhim më të madh në përmirësimin e imazhit të gjykatave, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës si dhe rritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor.