Kuvendi zgjedh një anëtar të KGJK-së

Kuvendi zgjedh një anëtar të KGJK-së

Prishtinë, 15 dhjetor 2023 – Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Dega në Kamenicë, Artan Abazi, ka marr besimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), me mandat pesë (5) vjeçar.

Biografia e anëtarit:

Artan Abazi është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Gjilan. Në vitin 2012, ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa studimet postdimplomike të magjistraturës, në drejtimin penalo – juridik, në të njëjtin Universitet, i ka përfunduar në vitin 2016. Punën praktike profesionale e ka mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjilan, gjatë vitit 2013 – 2014, ku pas përfundimit ka filluar karrierën profesionale, në pozitën e mbrojtësit të viktimave, në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, në Prokurorinë Themelore në Gjilan. 

Gjatë vitit 2016 – 2017, ka qenë i angazhuar në pozitën e këshilltarit ligjor në Zyrën e Koordinatorit Nacional për Luftimin e Krimit Ekonomik, në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës, për tu kthyer përsëri gjatë vitit 2018, në pozitën e Mbrojtësit të Viktimave. Provimin e jurisprudencës e ka përfunduar në vitin 2015, ndërsa në pozitën e gjyqtarit është emëruar me datë 21 janar 2019.