Mbahet takimi i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Mbahet takimi i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

12 dhjetor 2023 – Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës nën udhëheqjen e Kryesuesit të Asamblesë, njëherit Kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, mbajti sot takimin e fundit për vitin 2023, përmes platformës online ZOOM, me ç’rast janë diskutuar pikat e rendit të ditës:

  • Anëtarët e Asamblesë diskutuan lidhur me zbatimin e rekomandimeve nga takimet e mbajtura gjatë vitit 2023 të Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës. Në mesin e këtyre rekomandimeve, Asambleja ka miratuar edhe Planet e veprimit të Drejtësisë Procedurale për Gjykatat Themelore dhe degët e tyre të cilat përmirësojnë ofrimin e shërbimeve sa më funksionale dhe ndihmuese në gjykatë, me qëllim të përafrimit me qytetarët. Projekti i USAID-it për Drejtësi, në të ardhmen pritet të zgjerojë planet edhe në degët e tjera të gjykatave themelore.
  • Asambleja miratoi Planet e veprimit për Drejtësinë Procedurale për: Degët e Gjykatës Themelore në Prizren, dega në Dragash dhe Suharekë; Degët e Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Istog, Klinë dhe Deçan; Degët e Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë dhe Rahovec, si dhe Degët e Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, Viti dhe Novobërdë.
  • Asambleja i rekomandoi Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që të caktojë anëtarët e Asamblesë nga radhët e gjyqtarëve mbikëqyrës për vitin 2024, sipas Rregullores për organizimin dhe funksionimin e Asamblesë, me ç’rast kryesuesi Rexhepi falënderoi gjyqtarët mbikëqyrës për kontributin e tyre gjatë vitit 2023.
  • Anëtarët diskutuan lidhur me ri funksionalizimin e Shoqatës së Gjykatëseve të Kosovës, e cila ka për qëllim mbrojtjen dhe forcimin e pushtetit gjyqësor, me ç’rast rekomanduan KGJK-në, që të ndërmarr të gjitha veprimet lidhur me mbështetjen logjistike të kësaj Shoqate.

Me këtë rast, Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, falënderoi Asamblenë për kontributin e saj gjatë këtij viti, duke theksuar që të gjitha rekomandimet kanë qenë të rëndësishme dhe KGJK do të vazhdojë të zbatojë me kujdes të plotë të gjitha rekomandimet, të cilat kontribuojnë në cilësinë e sistemit gjyqësor, pavarësinë e sistemit gjyqësor, avancimin e efikasitetit, transparencës si dhe rritjen e besimit të publikut.