Mbahet dita e katërt e ‘Ditëve të Gjyqësorit’

Mbahet dita e katërt e ‘Ditëve të Gjyqësorit’

Prishtinë, 8 dhjetor 2023 – U mbajt sot dita e katërt e ‘Ditëve të Gjyqësorit’ me anëtarët e KGJK-së, kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarë të lëmisë civile të gjykatave themelore të Republikës së Kosovës, ku po diskutohet lidhur me efikasitetin e sistemit gjyqësor si dhe praktikat gjyqësore në çështjet civile.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, theksoi reformat në drejtësi gjatë vitit 2023, zhvillimet drejt forcimit të mekanizmave të brendshëm si dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendor dhe ndërkombëtar. Duke përmendur sfidat e gjyqësorit në drejtësinë civile, Zogaj kërkoi angazhim më të madh drejt rritjes së cilësisë së vendimmarrjes si dhe rritjes së besimit të publikut ndaj një gjyqësori më transparent dhe llogaridhënies.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, shtoi se Gjykata Supreme e Kosovës ka kryer obligimet kushtetuese dhe ligjore, duke vazhduar të ketë një ndikim pozitiv në forcimin dhe unifikimin e praktikës gjyqësore, me qëllim të zhvillimit dhe avancimit të sistemit gjyqësor.

Paneli i gjyqtarëve i kryesuar nga Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, i përbërë nga gjyqtarët nga Gjykata Supreme e Kosovës, Rrustem Thaqi dhe Zenel Leku, kanë diskutuar rreth rëndësisë së përdorimit të përmbledhjeve më të reja të publikuara nga Gjykata Supreme e Kosovës, të cilat do t’iu shërbejnë gjyqtarëve në punën e tyre. Paneli ka diskutuar edhe rreth të gjeturave në praktikën gjyqësore nga Gjykata Supreme e Kosovës, në çështjet civile.

Sot u publikua raporti “Korniza ligjore, institucionale dhe praktika gjyqësore mbi dhunën në familje në Kosovë”, i përgatitur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), Zyra në Kosovë, me ç’rast Valbona Bogujevci, theksoi se ky raport përshkruan infrastrukturën ligjore dhe institucionale, duke analizuar çështje të gjykuara në të gjitha instancat gjyqësore, sipas standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare. Bogujevci falënderoi të gjithë gjyqtarët dhe kontribuesit për angazhimin e tyre, drejt realizimit të këtij raporti, në veçanti KGJK dhe Lexdoks.

Gjatë takimit, u publikua edhe përmbledhja ‘Marrëveshjet ndërkombëtare në çështjet civile’ nga Programi i Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST), të cilin e prezantoi Kristian Turkalj.

Po ashtu, u publikua Manuali mbi Shqyrtimin Gjyqësor në lidhje me ligjin dhe politikën e konkurrencës, i përgatitur nga Projketi financuar nga BE “Mbështetja e BE-së për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërore”.

Sistemi gjyqësor mbetet i përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin dhe përpjekjet e përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë, për avancimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.

Rreth zbatimit të Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, ka diskutuar kryetari i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e këtyre planeve strategjike, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Afrim Shala, i cili ka theksuar rëndësinë e përmbushjes së prioriteteve dhe detyrimeve që dalin nga këto plane.

Paneli i gjyqtarëve i kryesuar nga Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, i përbërë nga gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, Rafet Haxhaj, Kujtim Pasuli dhe Lumni Sallauka, kanë diskutuar lidhur me të gjeturat në praktikën gjyqësore nga Gjykata e Apelit e Kosovës në çështjet civile si dhe kanë ndarë praktikat e tyre dhe sfidat që hasin në praktikën aktuale gjyqësore.

Paneli i përbashkët i përbërë nga anëtari i KGJK-së, Ahmet Imami, gjyqtari i Gjykatës Komerciale, Arnis Dumani, nën kryetarja e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mirlinda Bytyçi-Rexhepi dhe gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Adnan Konushevci, kanë diskutuar lidhur me sfidat e praktikave në Gjykatën e shkallës së parë në çështjet civile, të cilët po ashtu vlerësuan se diskutimi i sfidave të praktikave në këtë fushë ka rëndësi të madhe për avancimin e drejtësisë.

Në fund, Kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave, Fahret Vellija, Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha dhe Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, në fjalën e tyre përmbyllëse, përfshinë konkluzionet e ditës, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme të sistemit gjyqësor drejt rritjes së qasjes, efikasitetin dhe transparencës në drejtësi.