Mbahet dita e tretë e ‘Ditëve të Gjyqësorit’

Mbahet dita e tretë e ‘Ditëve të Gjyqësorit’

Prishtinë, 1 dhjetor 2023 – U mbajt sot dita e tretë e ‘Ditëve të Gjyqësorit’ me anëtarët e KGJK-së, kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarë të lëmisë penale të gjykatave themelore të Republikës së Kosovës, ku po diskutohet lidhur me efikasitetin e sistemit gjyqësor si dhe praktikat gjyqësore në çështjet penale.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, gjatë fjalimit të tij, theksoi reformat në drejtësi gjatë vitit 2023, zhvillimet drejt forcimit të mekanizmave të brendshëm si dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendor dhe ndërkombëtar. Duke përmendur sfidat e gjyqësorit në drejtësinë penale, Zogaj kërkoi angazhim më të madh drejt rritjes së cilësisë së vendimmarrjes si dhe rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor.

Po ashtu, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, shtoi se Gjykata Supreme e Kosovës ka kryer obligimet kushtetuese dhe ligjore, duke vazhduar të ketë një ndikim pozitiv në zhvillimin dhe avancimin e sistemit gjyqësor.

Kryetari i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Afrim Shala, theksoi se zbatimi i planeve strategjike të KGJK-së dhe përmbushja e detyrimeve që dalin nga këto plane, mbeten prioritete edhe për vitin e ardhshëm.

Gjatë këtij takimi, u prezantua publikimi i dy botimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës.

  • Botimi ‘Vendime të përzgjedhura të Gjykatës Supreme të Kosovës‘, i cili ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së vendimeve gjyqësore dhe lehtësimin e punës së gjyqtarëve në zgjidhjen e drejtë të rasteve gjyqësore.
  • Botimi ‘Përmbledhje nga Praktika e Gjykatës Supreme në çështje penale dhe civile‘, i cili ofron zgjidhje për çështjet dhe dilemat e ndryshme me të cilat ballafaqohen gjyqtarët e instancave më të ulta, si dhe udhëzon gjyqtarët se si të veprohet në situatat e ngjashme duke respektuar dhe aplikuar në mënyrë të drejtë dispozitat ligjore dhe duke marr për bazë edhe praktikat dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Paneli i gjyqtarëve i kryesuar nga kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, i përbërë nga gjyqtarët e Gjykatës Supreme: Mejreme Memaj, Afrim Shala dhe Agim Maliqi, kanë diskutuar rreth rëndësisë së përdorimit të këtyre dy përmbledhjeve të Gjykatës Supreme, të cilat do t’iu shërbejnë gjyqtarëve në punën e tyre. Paneli ka diskutuar edhe rreth të gjeturave në praktikën gjyqësore nga Gjykata Supreme e Kosovës në çështjet penale. Me këtë rast, Kryetari Rexhepi falënderoi të gjithë gjyqtarët dhe kontribuesit për përkushtimin dhe angazhimin e tyre, drejt realizimit të këtyre botimeve, në veçanti Akademinë e Drejtësisë dhe projektin WBROLI Chemonics.

Po ashtu, paneli i gjyqtarëve i kryesuar nga kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, i përbërë nga gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, Ferit Osmani, Xhevdet Abazi dhe Kreshnik Radoniqi, kanë diskutuar lidhur me të gjeturat në praktikën gjyqësore nga Gjykata e Apelit e Kosovës në çështjet penale si dhe kanë ndarë praktikat e tyre dhe sfidat që hasin në praktikën aktuale gjyqësore.

Monitorimi i sistemit gjyqësor është kritik për adresimin e çështjeve të identifikuara në drejtësi, duke ndikuar në integritetin dhe besueshmërinë e proceseve ligjore. Lidhur me këtë çështje, ka diskutuar paneli i përfaqësuesve të partnerëve ndërkombëtar të sistemit gjyqësor, i përbërë nga: John Hanley, nga Departamenti i Drejtësisë në Ambasadën Amerikane (OPDAT); Heidi Heggdal, nga Misioni EULEX; Christopher Marshall, nga projekti Iniciativa për Sundimin e Ligjit në Ballkanin Perëndimor (WBROLI); Mark Lasser, nga OSBE dhe Kristian Turkalj nga EUKOJUST, të cilët shprehën gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit me KGJK-në në realizimin e objektivave të përbashkëta, me qëllim të reformimit të sistemit gjyqësor sipas standardeve evropiane dhe atyre ndërkombëtare.

Paneli i përbashkët i përbërë nga: Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, Udhëheqësi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Valon Kurtaj dhe Kryetari i Komisionit për Trajnime, prof. Vilard Bytyqi, kanë diskutuar lidhur me sfidat e gjykatave për funksionimin efikas të sistemit gjyqësor.

Në fund, Kryetari i Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel, gjyqtari Avni Mehmeti, Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustaf Tahiri si dhe Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani, në prezantimin e tyre përfshinë konkluzionet e ditës, duke theksuar përpjekjet e KGJK-së dhe gjykatave drejt përmirësimit të sistemit gjyqësor.