Mbahet dita e dytë e ‘Ditëve të Gjyqësorit’

Mbahet dita e dytë e ‘Ditëve të Gjyqësorit’

Prishtinë, 24 nëntor 2023 – U mbajt sot dita e dytë e ‘Ditëve të Gjyqësorit’ me anëtarët e KGJK-së, kryetarët e gjykatave, kryeprokurorë dhe prokurorë të shtetit, gjyqtarë nga Gjykata Supreme e Kosovës, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, Gjykata e Apelit e Kosovës si dhe gjyqtarë të shkallës së dytë nga Gjykata Komerciale e Kosovës, për të kontribuar në përmirësimin dhe transparencën dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, U.D i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Zëvendës kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Qerim Ademaj dhe përfaqësuesja nga Akademia e Drejtësisë, Luljeta Hetemi, kanë shprehur qëndrimet e tyre në lidhje me avancimin e sistemit të drejtësisë përmes bashkëpunimit institucional. Ata kanë theksuar rëndësinë e koordinimit në mes të institucioneve për të garantuar një drejtësi efikase dhe të besueshme në Kosovë.

Lidhur me menaxhimin efikas të lëndëve penale dhe pilotimin e seancave të njëpasnjëshme, ka prezantuar John Hanley nga Ambasada Amerikane, i cili vlerësoi se këto praktika përmirësojnë qasjen në drejtësi, rrisin besimin në sistemin gjyqësor si dhe kontribuojnë në forcimin e sundimit të ligjit.

Mark Lasser nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka prezantuar lidhur me Raportin e monitorimit të gjykimeve mbi masën e paraburgimit, me ç’rast theksoi disa  rekomandime nga monitorimi i OSBE-së për përmirësimin e praktikave ekzistuese.

Raportin e monitorimit të gjyqësorit, e ka prezantuar Hubert Van Eck Koster nga Misioni i EULEX-it në Kosovë, i cili raport ka adresuar performancën e sistemit gjyqësor në lidhje me pavarësinë, integritetin dhe efikasitetin, duke theksuar nevojën për përmirësime konkrete në sistemin gjyqësor.

Rreth zbatimit të Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, ka diskutuar kryetari i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e këtyre planeve strategjike, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Afrim Shala, i cili ka theksuar rëndësinë e përmbushjes së prioriteteve dhe detyrimeve që dalin nga këto plane.

Paneli i gjyqtarëve i kryesuar nga kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi dhe U.D i gjyqtarit mbikëqyrës të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS), Sahit Sylejmani, i përbërë nga gjyqtarët e Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, Rrustem Thaqi, Agim Maliqi dhe Shukri Sylejmani, kanë diskutuar rreth të gjeturave në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme dhe DHPGJS, në çështjet penale, civile, adminsitrative dhe komerciale, me ç’rast kanë ndarë përvojat dhe praktikat e tyre më efikase si dhe sfidat që hasin në praktikën aktuale gjyqësore.

Po ashtu, paneli i gjyqtarëve i kryesuar nga kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj dhe kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, i përbërë nga gjyqtarët e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Komerciale, Kadrije Goga, Saranda Bogaj, Delushe Halimi dhe Kujtim Pasuli, kanë diskutuar lidhur me të gjeturat në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Komerciale, në çështjet penale, civile, adminsitrative dhe komerciale, ku kanë diskutuar lidhur me sfidat e përbashkëta me të cilat ballafaqohen në trajtimin e çështjeve gjyqësore si dhe praktikat e ndjekura nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Komerciale.

‘Procesi i vlerësimit të performancës’ ishte tema rreth së cilës prezantoi Kryetarja e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, gjyqtarja Teuta Ibrahimi, e cila gjatë fjalimit të saj ka theksuar rëndësinë e proceseve dhe metodave të përdorura për vlerësimin e efikasitetit të gjyqtarëve në sistemin gjyqësor. Gjyqtarja Ibrahimi, ka adresuar rëndësinë e pavarësisë së gjyqtarëve dhe ndikimin e vlerësimit të performancës në pavarësinë e tyre profesionale.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, ka diskutuar mbi efikasitetin e sistemit gjyqësor si dhe çështje tjera që lidhen me përgjegjësitë e KGJK-së, me ç’rast ka theksuar përpjekjet e KGJK-së drejt avancimit të sistemit gjyqësor, për të forcuar pavarësinë e gjyqtarëve dhe për të garantuar një drejtësi efikase dhe transparente në Kosovë.

Në fund, Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj dhe Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, përfshinë konkluzionet e ditës duke theksuar përpjekjet dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes të KGJK-së dhe gjykatave.