Prishtinë, 17 nëntor 2023 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misioni në Kosovë, ka organizuar aktivitete me gjykatat të titulluar “Ditët e Gjyqësorit”, të cilat do të mbahen në pesë ditë takime të ndara.
Takimi në ditën e parë, u mbajt sot me strukturën menaxheriale të sistemit gjyqësor duke përfshirë anëtarët e KGJK-së, kryetarët dhe gjyqtarët mbikëqyrës të gjykatave, administratorët dhe përfaqësues nga Sekretariati i KGJK-së.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve, është vlerësimi i gjendjes aktuale të sistemit gjyqësor, përfshirë të arriturat, përmbushjen e planeve të punës, sfidat me të cilat përballet sistemi dhe objektivat strategjike për avancimin e funksionimit të sistemit gjyqësor.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, gjatë prezantimit të tij lidhur me pavarësinë, performancën dhe zhvillimet e sistemit gjyqësor, ka theksuar sfidat dhe arritjet e KGJK-së dhe gjykatave gjatë vitit 2023. Ndër të tjera, ai tha se respektimi i pavarësisë institucionale të sistemit gjyqësor është një element kritik për funksionimin e tij në mënyrë të pavarur, duke siguruar drejtësi për të gjithë qytetarët.
Po ashtu, Kryesuesi Zogaj tha se ndër sfidat më të mëdha për sistemin gjyqësor mbetet efikasiteti, cilësia e vendimmarrjes dhe besimi i publikut, me ç’rast kërkoi angazhim dhe bashkëpunim edhe më të mirë me kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët për monitorimin e zbatimit të planeve strategjike dhe akteve te miratuara, të cilat ndikojnë në zhvillimin dhe avancimin e gjyqësorit. Zogaj falënderoi të gjithë partnerët zhvillimor, përfshirë Ambasadën e SHBA-vë, Ambasadën Britanike, Ambasadën Norvegjeze, Zyrën e Bashkimit Evropian, Këshillin e Evropës, USAID, INL, OSBE, EULEX, UNDP, EUKOJUST si dhe partnerët e tjerë, pa ndihmën dhe kontributin e të cilëve do të ishte i pamundur zhvillimi dhe avancimi i sistemit gjyqësor.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, diskutoi lidhur me arritjet dhe rolin e Gjykatës Supreme në zhvillimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Zëvendës kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani, theksoi punën e KPK-së dhe përgjegjësitë e sistemit prokurorial, në ruajtjen e ligjit dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve.
Ambasadori i Misionit të OSBE-së, Michael Davenport, vlerësoi bashkëpunimin dhe rolin aktiv të KGJK-së dhe gjykatave, me ç’rast theksoi vazhdimin e përkrahjes së OSBE-së në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke qenë një nga partnerët më të fuqishëm të KGJK-së.
Lidhur me mbështetjen dhe pikëpamjen e tyre si partnerë zhvillimorë, kanë prezantuar: Tamra Greig nga INL, Nicola Scaramuzzo nga Zyra e BE-së, John Hanley nga Ambasada Amerikane, Tankut Soykan nga Këshilli i Evropës, Noel Bauer nga USAID, dhe Hubert Van Eck Koster nga EULEX.
Rreth zbatimit të Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, ka diskutuar kryetari i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e këtyre planeve strategjike, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Afrim Shala, i cili ka theksuar rëndësinë e përmbushjes së prioriteteve dhe detyrimeve që dalin nga këto plane.
Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, prezantoi lidhur me performancën e administratës gjyqësore, me ç’rast theksoi angazhimin e administratës për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm dhe efikas të sistemit gjyqësor, si dhe përmirësimin e qasjes në shërbime.
Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj dhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama, adresuan sfidat me të cilat përballen këto gjykata në punën e përditshme, me ç’rast u diskutuan përpjekjet e përbashkëta të kryetarëve drejt përmirësimit të ofrimit të shërbimeve nga gjykatat e vendit.
“Transparenca, parakusht për besimin e publikut”, ishte tema rreth së cilës prezantoi Anëtarja e KGJK-së, gjyqtarja Arjeta Sadiku, dhe Këshilltarja Ligjore nga Qendra Evropiane për Liri të Medias, Flutura Kusari. Diskutimi u fokusua në rëndësinë e transparencës së sistemit gjyqësor për të ndërtuar dhe forcuar besimin e publikut në proceset gjyqësore, si mekanizëm kyç për të forcuar marrëdhëniet e besimit midis qytetarëve dhe institucioneve të drejtësisë.
Kryetarja e Komisionit për Çështje Normative, gjyqtarja Drita Rexhaj, theksoi nevojën dhe rëndësinë e reformave në sistemin gjyqësor të Kosovës, për të përmirësuar funksionimin e drejtësisë. Po ashtu, gjyqtarja Rexhaj shtoi se këto reforma kanë potencialin për të krijuar një sistem më të fortë dhe më të besueshëm për qytetarët e vendit.
Kryetari i Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel, gjyqtari Avni Mehmeti, paraqiti një prezantim lidhur me ndikimin e buxhetit në pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor, me ç’rast gjyqtari Mehmeti theksoi se një buxhet i përshtatshëm dhe i drejtë për sistemin gjyqësor është thelbësor për të reflektuar nevojat dhe standardet për funksionimin e një sistemi gjyqësor sa më të pavarur dhe efikas.
“Trajnimet, bazë për zhvillimin e shkathtësive në sistemin gjyqësor”, ishte tema rreth së cilës prezantoi Kryetari i Komisionit për Trajnime, prof. Vilard Bytyqi, i cili theksoi rëndësinë e trajnimeve të vazhdueshme për përmirësimin e shkathtësive profesionale dhe njohurive të gjyqtarëve dhe stafit të sistemit gjyqësor, si dhe ndikimin e trajnimeve në cilësinë e vendimmarrjes.
Në fund të këtij aktiviteti, Udhëheqësja e Zyrës për Integrime Evropiane në SKGJK, Arlinda Krasniqi, prezantoi një analizë lidhur me dokumentet kyçe si: Raporti i Progresit për Kosovën, Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), për Kosovën, Raportet e Instrumentit për Asistencë Teknike dhe Shkëmbim Informacioni i Komisioni Evropian (TAIEX), Strategjia për Sundimin e Ligjit, si dhe ndërmjetësimi dhe statistikat gjyqësore. Krasniqi theksoi rëndësinë e këtyre raporteve për procesin e integrimit evropian të Kosovës si dhe ndikimin e tyre në përmirësimin e sistemit gjyqësor.
Për të shikuar videon e plotë e takimit në ditën e parë, klikoni në linkun më poshtë:
https://www.facebook.com/keshilligjyqesorikosoves/videos/244223731746194