Prishtinë, 15 nëntor 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovë (KGJK), Albert Zogaj, dhe anëtarja e KGJK-së, gjyqtarja Arjeta Sadiku, pritën sot në takim Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Gjatë këtij takimi, Kryesuesi Zogaj diskutoi me Ministren Haxhiu lidhur me aktivitetet e Këshillit, objektivat dhe sfidat me të cilat po përballet sistemi gjyqësor. Po ashtu, Zogaj theksoi se KGJK po i ndërmerr hapat e nevojshëm për arritjen e qëllimeve drejt rritjes së efikasitetit, përmirësimit të performancës si dhe rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.
Me këtë rast, Ministrja Haxhiu theksoi se është e hapur dhe e gatshme në ofrimin e përkrahjes për institucionet e drejtësisë në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve në drejtësi.
Të dy palët diskutuan rreth adresimit të çështjeve të ndryshme si: mbështetja e Gjykatës Administrative dhe veprimet që duhet të ndërmerren për themelimin e saj, planet për zbatimin e Deklaratës së Zotimeve, raporti për vendin, bashkëpunimi institucional rreth reformës në drejtësi, Kodi i Procedurës Civile, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, si dhe aktivitetet e përbashkëta në kuadër të kampanjës globale “16 Ditët e Aktivizmin Kundër Dhunës me Bazë gjinore” dhe rolin proaktiv në parandalim.