Kryesuesi Zogaj, ka pritur në takim shefin e EULEX-it

Kryesuesi Zogaj, ka pritur në takim shefin e EULEX-it

Prishtinë, 13 nëntor 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka pritur sot në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano.

Kryesuesi Zogaj, gjatë këtij takimi e ka uruar shefin e EULEX-it, Barbano, për detyrën re, me ç’rast e ka falënderuar për mbështetjen e këtij misioni duke e vlerësuar si partner të fuqishëm në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, dhe si të rëndësishëm rolin e tij në monitorimin e punës së institucioneve gjyqësore.

Kryesuesi Zogaj, e njoftoi shefin e EULEX-it, me funksionimin, sfidat, proceset, prioritetet, si dhe të arriturat e institucionit dhe njëkohësisht shprehu përkushtimin dhe angazhimin e sistemit gjyqësor për vazhdimin e bashkëpunimit me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit, rritjes së efektivitetit, transparencës, llogaridhënies, si dhe ngritjes së besimit të qytetarëve në gjyqësor.

Nga ana tjetër, shefi i EULEX-it, e përgëzoi Kryesuesin Zogaj, për progresin e shënuar në sistemin gjyqësor, gjithashtu ai shprehu gatishmërinë e tij në emër të misionit që ai drejton, për ofrimin e mbështetjes për institucionet e pavarura gjyqësore, përmes rolit të monitorimit drejt avancimit të sundimit të ligjit në vendin tonë, në pajtim me praktikat më të mira të BE-së.

Duke e vlerësuar si tejet të nevojshëm bashkëpunimin me misionet ndërkombëtare, palët u pajtuan që KGJK dhe EULEX, kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe ekziston vullneti për të vazhduar dhe për tu koordinuar edhe më tutje ky bashkëpunim, me qëllim të arritjes së objektivave e që ndikojnë në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit  në Kosovë.