Mbahet takimi i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Mbahet takimi i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Prishtinë, 8 nëntor 2023 – Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës nën udhëheqjen e Kryesuesit të Asamblesë, njëherit Kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, mbajti sot takimin e radhës, me ç’rast janë diskutuar pikat e rendit të ditës:

  • Anëtarët e Asamblesë diskutuan lidhur me progresin e projektit të audio-video incizimit për sallat e gjykatave si dhe aktivitetet e realizuara dhe të parapara për implementimin e suksesshëm të tij, i cili mbështetjet nga Ambasada Amerikane dhe Zyra për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL). Projekti ka për qëllim modernizimin e gjykatave të Kosovës, duke mundësuar përpilimin e procesverbaleve në mënyrë digjitale dhe të standardizuar të seancave penale, përmes ofrimit të pajisjeve të audio-video incizimit si dhe atyre të përkthimit.
  • Asambleja rekomandoi që të përmbushen rekomandimet e Raportit të Departamentit të Shtetit Amerikan për Trafikimin me Njerëz, si dhe u diskutua Plani i Punës për Kosovën për 2023-2024, me ç’rast Asambleja bëri thirrje për përpjekje më të madhe në përmbushjen e standardeve në luftimin e kësaj dukurie.
  • Anëtarët shqyrtuan kërkesën nga Dhoma Qendrore e Dëshmive pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, lidhur me shkatërrimin e sendeve që shërbejnë si prova në shqyrtimin gjyqësor, me ç’rast Asambleja konsideroi se në këtë drejtim, KGJK mund të ofrojë sqarime dhe udhëzime se si të veprohet në këtë drejtim.
  • Gjatë takimit, Asambleja rekomandoi që të hartohet një Udhëzues përmes të cilit përcaktohet mënyra e regjistrimit të seancave gjyqësore.
  • Me qëllim të ofrimit të qasjes së publikut nga jashtë dhe rritjes së transparencës së gjyqësorit ndaj publikut, Asambleja rekomandoi KGJK-në që të merr vendim për publikimin e shkaqeve të dështimit të seancave gjyqësore nga secili gjyqtar, në gjykatat e vendit.
  • Anëtarët diskutuan lidhur me dërgimin e aktgjykimeve tek punëdhënësit në raste kur në aktgjykim përfshihet edhe dënimi plotësues (ndalim i ushtrimit të profesionit si dhe vendimet për suspendim nga puna), me ç’rast Asambleja rekomandoi që Gjykata Supreme dhe KGJK të shikojnë mundësinë për nxjerrjen e një udhëzuesi për mënyrën se si duhet vepruar në këto raste.
  • Gjatë takimit, u diskutuan aktivitetet e gjykatave sipas Planit të veprimit për zbatimin e Strategjisë të Sundimit të Ligjit, si dhe aktivitet e Planit të Punës së KGJK-së për vitin 2023. Asambleja bëri thirrje për angazhim më të madh drejt përmbushjes së këtyre aktiviteteve deri në fundvit.
  • Asambleja rekomandoi KGJK-në që të merr vendim për përcaktimin se në cilat raste mund të konsiderohet që kërkesat janë të përfunduara, për lëndët e fushës së përmbarimeve, ku gjykatat janë propozues për përmbarim, dhe sa i përket paushallëve gjyqësore.
  • Anëtarët diskutuan lidhur me trajtimin e çështjes së lëndëve paraprake në fushën penale, për të cilat ka kaluar afati kohor ligjor i zbatimit të hetimeve dhe ngritjes së aktakuzës, me ç’rast u rekomandua që të gjithë gjyqtarët me çështje të tilla në shqyrtim, t’i drejtohen Prokurorisë me kërkesa që të pushohen hetimet në këto raste.
  • Asambleja diskutoi lidhur me monitorimin dhe përditësimin e Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore, me ç’rast u bë thirrje për zbatimin e tij, identifikimin e problemeve dhe mangësive në punën e gjyqtarëve në zbatim dhe fushat ku ka nevojë për përmirësim.