Forumi i grave gjyqtare dhe prokurore mban punëtori mbi praktikat e ndjeshme gjinore në gjyqësor

Forumi i grave gjyqtare dhe prokurore mban punëtori mbi praktikat e ndjeshme gjinore në gjyqësor

27.10.2023, Prishtinë – Forumin e Grave Gjyqtare dhe Prokurore në bashkëpunim me Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ka organizuar punëtorinë me titull: “Punëtori mbi praktikat e ndjeshme gjinore në gjyqësor”.

Punëtoria ka mbledhur përfaqësuese gra nga të gjitha nivelet e institucioneve përkatëse gjyqësore dhe prokuroriale.

Vlora Pacolli-Rexhepi, Kryetare e Forumit të Grave Gjyqtare dhe Prokurore, njëherit edhe gjyqtare në Gjykatën Komerciale, e përgëzoi Misionin e OSBE-së për përkrahje të vazhdueshme që i ka dhënë forumit.

Kryetarja Pacolli, tha se ndjeshmëria gjinore në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, është një temë e rëndësishme që ka ndikim, jo vetëm në strukturën dhe sistemit ligjor, por në vet besimin e shoqërisë në sistemin e drejtësisë. Andaj, me këtë rast, ajo bëri thirrje për shqyrtimin e praktikave të ndjeshme gjinore në gjyqësor, në mënyre kritike, me qëllim që të sigurohemi që ato të pasqyrojnë vlerat e barazisë, ndershmërisë dhe respektit pa dallim race, gjinie dhe feje, ashtu siç parashihet me ligjet në fuqi.

E pranishme në këtë forum, ishte edhe anëtarja e KGJK-së, gjyqtarja Teuta Ibrahimi, me ç’rast ka falënderuar Misionin e OSBE-së në Kosovë, duke shpresuar se takime të tilla do të shërbejnë si nismë e një bashkëpunimi për të fuqizuar pozitën e grave në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, si dhe për t’u angazhuar në ngritjen e efikasitetit të drejtësisë, e me theks të veçantë mbi praktikat e ndjeshme gjinore në gjyqësor dhe me dhunën kibernetike ndaj grave.

‘’KGJK në kuadër të prioritetit për fuqizimin e pozitës së gruas në sistemin gjyqësor, vëmendjen më të madhe e përqendron të krijoj hapësirë të mjaftueshme për stimulimin dhe trajtimin e barabartë të gjithë pjesëmarrësve në procedurat rekrutuese pavarësisht gjinisë, apo statusit tjetër personal. Prandaj, Këshilli do të vazhdoj me punën dhe përkushtimin e palëkundur për të fuqizuar pozitën e gruas në sistemin gjyqësor duke garantuar barazinë gjinore, por mbi të gjitha trajtimin dinjitoz dhe meritokratik‘’, theksoi mes tjerash gjyqtarja Ibrahimi.

Përfaqësueset e Forumit të Grave Gjyqtare dhe Prokurore, kanë diskutuar çështje që lidhen me trajtimin e barabartë në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Gjithashtu, forumi ka diskutuar rreth shqetësimeve që kanë të bëjnë me mjedisin e punës së grave gjyqtare dhe prokurore, përfshirë dhunën kibernetike ndaj grave.