Misioni i OSBE-së publikon raport mbi praktikën e masës së paraburgimit në gjykatat e Kosovës

Misioni i OSBE-së publikon raport mbi praktikën e masës së paraburgimit në gjykatat e Kosovës

Prishtinë, 25 tetor 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka marrë pjesë në publikimin e raportit mbi praktikën e masës së paraburgimit në gjykatat e Kosovës, të organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misioni në Kosovë.

Raporti ofron analizën e 70 seancave dëgjimore të paraburgimit në mbarë Kosovën për pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe gjykimit të drejtë. Përveç identifikimit të çështjeve që lidhen me zbatimin e masës së paraburgimit, raporti gjithashtu ofron edhe rekomandime specifike për institucionet përkatëse.

Kryesuesi Zogaj, e vlerësoi lart angazhimin e OSBE-së, me ç’rast tha se lansimi i këtij raporti është kontributi i radhës që Misioni i OSBE-së ofron për sistemin gjyqësor në Kosovë.

“Zbatimi i legjislacionit është detyrë e institucioneve të sistemit të drejtësisë, varësisht prej kompetencave Kushtetuese dhe atyre Ligjore. Zbatimi, dhe monitorimi janë procese të rëndësishme, përmes të cilave ne arrijmë të identifikojmë çështjet të cilat përmes të gjeturave dhe rekomandimeve duhet të adresohen me qëllim të eliminimit e tyre”, theksoi mes tjerash Kryesuesi Zogaj. Ai gjithashtu tha se duke pasur për bazë faktin se çështja e masës së paraburgimit i referohet kufizimit të lirisë së lëvizjes, të gjitha institucionet përkatëse duhet ta kenë trajtimin me kujdes të lartë, profesionalizëm dhe arsyeshmëri ligjore dhe faktike sa i përket masës se paraburgimit.

KGJK mirëpret kontributin e çdo mekanizmi institucional, ndërkombëtar, dhe jo qeveritar që kontribuojnë në zhvillimin dhe avancimin e sistemit gjyqësor e në veçanti sa i përket respektimit te drejtave te njeriut. Të gjeturat dhe rekomandimet e këtij Raporti do t’i materializon duke nxjerrë të gjitha detyrat që i takojnë sistemit gjyqësor dhe më pas do të adreson të njëjtat brenda sistemit gjyqësor që masa e paraburgimit të trajtohet komfor të drejtave të njeriut.