Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj i drejtohet takimit joformal të Kryesisë së OSBE-së

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj i drejtohet takimit joformal të Kryesisë së OSBE-së

Vjenë, 18 tetor 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj i është drejtuar në takim joformal Kryesisë së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me ftesë të Kryesisë së Maqedonisë së Veriut.

Në cilësinë e Kryesuesit të KGJK-së, z. Zogaj ka prezantuar funksionalizimin, punën, sfidat, të arriturat dhe prioritetet e sistemit gjyqësorit dhe ai gjithashtu ka  diskutuar bashkëpunimin me Misionin e OSBE-së në Kosovë, duke e vlerësuar kontributin e  jashtëzakonshëm që ka dhënë kjo organizatë në Kosovë e me theks të veçantë në gjyqësor.

‘’Vlen të theksohet që Misioni i OSBE-së me vite ka kontribuar për të përmirësuar efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien e gjyqësorit tonë. Si fokus të veçantë ka dhënë kontribut në legjislacion dhe reformë gjyqësore, fuqizimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe administratës publike, duke respektuar të drejtat e njeriut përmes legjislacionit, monitorimin e proceseve të rekrutimit në gjyqësor’’- tha në mes tjerash Kryesuesi Zogaj.

Duke iu drejtuar takimit joformal të Kryesisë së OSBE-së, Kryesuesi, Zogaj tha se, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ndikonte substancialisht në respektimin e lirive dhe të të drejtave të njeriut përmes kontrollit mbi vendimmarrjen e institucioneve gjyqësore vendore. Kosova aspiron anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në fazën e përpjekjes për anëtarësim, rëndësi të veçantë ka sistemi gjyqësor me ç’rast dua të theksoj se, KGJK ka ofruar bashkëpunim dhe koordinim të plotë me të gjitha organet e Këshillit të Evropës duke pranuar standardet e CEPEJ për matjen e performancës së gjyqësorit – shtoi më tej Zogaj.

Pas prezantimit të detajuar, z. Zogaj në fund theksoi se, pavarësisht rezultateve të arritura, mbesin edhe më tutje sfidat serioze siç janë: efikasiteti, cilësia e vendimmarrjes, besimi i publikut, promovimi i integrimit të komuniteteve në gjyqësor, prandaj bashkëpunimi dhe mbështetja e misionit të OSBE-së në Kosovë, sidomos në pjesën e zhvillimit të reformës mbesin të një rëndësie të lartë.

KGJK dhe OSBE kanë bashkëpunim të vazhdueshëm dhe efikas me qëllim të vendosjes së stabilitetit dhe sigurisë bazuar në demokraci, sundimin e ligjit dhe respektimin e të të drejtave të njeriut në Evropë.