Shënohet një vjetori i suksesshëm i funksionimit të Gjykatës Komerciale

Shënohet një vjetori i suksesshëm i funksionimit të Gjykatës Komerciale

Prishtinë 12 tetor 2023 – Në një ngjarje të veçantë sot, Gjykata Komerciale e Kosovës ka shënuar suksesin e vitit të parë të funksionalizimit të saj, i cili shënon një hap të rëndësishëm drejt një sistemi gjyqësor efikas, me transparent, llogaridhënës dhe të qëndrueshëm.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin krerët e institucioneve të drejtësisë në vend, ambasadori i SHBA-së z. Jeffrey Hovenier, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, duke falënderuar të pranishmit dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm, vlerësoi angazhimin e tyre për të siguruar drejtësi të barabartë dhe të paanshme për të gjithë qytetarët dhe bizneset.

“Performanca e Gjykatës Komerciale në vitin e parë të operimit ka qenë e jashtëzakonshme. Pavarësisht ngarkesës me lëndë të trashëguara, gjykata ka arritur shkallën e spastrimit të lëndëve në 113%, duke zgjidhur 4,312 lëndë gjatë vitit, që është shifër më e lartë sesa numri i lëndëve të reja që janë pranuar gjatë vitit. Duke pasur në konsideratë se gjykata ka operuar gjatë gjithë vitit me numër më të vogël të gjyqtarëve sesa që është e përcaktuar me ligj, dhe me vetëm një përqindje të vogël të stafit të planifikuar, kjo shkallë e spastrimit konfirmon një performancë të shkëlqyer gjatë vitit të parë”, tha mes tjerash Tutuli.

Disa nga sukseset më të rëndësishme të vitit të parë të funksionalizimit të Gjykatës Komerciale përfshijnë: përmirësimin e proceseve të shqyrtimit të lëndëve dhe zvogëlimin e kohës së pritjes për një vendim gjyqësor; rritjen e transparencës dhe qasjen e publikut në informacione të rëndësishme të lidhura me procesin gjyqësor si dhe përmirësimin e përdorimit të teknologjisë për të bërë procesin gjyqësor më efikas dhe të përshtatshëm për nevojat e sotme.

Me këtë rast, u bë thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët të të gjithë akterëve të drejtësisë për të ndihmuar në përmirësimin e sistemit gjyqësor dhe për të siguruar një drejtësi të fuqishme dhe të besueshme për të gjithë.